Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër, ndërsa strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura po vijojnë ndërhyrjet për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 16:00 në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 165 forca operacionale, mes tyre 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Gjatë ditës janë zhvilluar gjithashtu 7 misione ajrore me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.
Në Dajt, në territorin e bashkisë Tiranë, zjarri është riaktivizuar në pyllin me pisha, mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren ndodhen 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, ndërsa ndërhyrja është mbështetur edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Paralelisht, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Priskë të Madhe. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie të bashkisë Patos, një vatër që ishte vënë nën kontroll është riaktivizuar në thellësi të pyllit. Për shuarjen e saj po përdoren edhe dy avionë Air Tractor. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata në këtë zonë paraqitet në përmirësim.
Situatë aktive vijon edhe në Krujë, ku po punohet në dy vatra. Në lagjen Abaze, zjarri është favorizuar nga era dhe ka pasur përhapje, por aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Më problematike paraqitet situata në Krastë–Halil, ku zjarri u përkeqësua gjatë orëve të para të mëngjesit dhe rrezikoi banesat. Ndërhyrja e dy helikopterëve ka ndihmuar në normalizimin e situatës, ndërsa forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrës.
Në malin e Nëmerçkës, në bashkinë Përmet, operacioni për shuarjen e zjarrit vazhdon. Vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, një vatër e re është evidentuar në malin e Dhëmbelit, mbi fshatin Badilonjë, ku forcat e MZSH-së Përmet janë angazhuar për ndërhyrjen.
Në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, është evidentuar një tjetër vatër zjarri në një sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë. Forcat operacionale po punojnë intensivisht për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjitha zonat problematike. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe ndërhyrjet do të vijojnë deri në normalizimin e plotë të vatrave aktive.
/rtsh.al/
