Dhjetëra banorë të fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë kanë protestuar sërish paraditen e sotme përballë zyrave të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar pagesën e qirasë së tokës.
Banorët pretendojnë se rreth 800 banorë nga fshatrat Marinzë, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër dhe Kuman nuk kanë marrë, që prej fillimit të vitit 2026, pagesën vjetore për tokat që përdoren nga kompania për rrugë, parkingje, sheshe dhe puse nafte.
Sipas tyre, këto sipërfaqe toke janë në përdorim të kompanisë prej vitit 2010. Banorët shprehen të indinjuar dhe paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë reagim, do t’i drejtohen strukturave të Krimit Ekonomik dhe do të përshkallëzojnë protestën, deri në vendburimet naftëmbajtëse.
Banorët kërkojnë respektimin e kontratave dhe zbatimin e detyrimeve ligjore. Ata kundërshtojnë pretendimet e kompanisë se çmimi historik i qirasë së tokës në fushën naftëmbajtëse, prej 400 lekësh për metër katror, tejkalon ndjeshëm vlerat aktuale të tregut.
Për banorët e zonës naftëmbajtëse, qiraja vjetore e tokës përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave. Ata kërkojnë zgjidhjen e situatës dhe respektimin e marrëveshjeve të lidhura për përdorimin e tokave të tyre.
