Sokrat Vata, 29 vjeç, nga Hasi, i dyshuar për vrasjen me thikë të shtetasit francez Frances Miguel Mendes në Ksamil, rezulton të ketë një të kaluar kriminale në Angli, ku është dënuar me pesë vite burg për vepra të lidhura me trafikun e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Vata u arrestua në Cambridge më 30 prill 2024, pas një ndjekjeje nga policia, teksa drejtonte një Toyota RAV4 të raportuar të vjedhur. Kur policia tentoi ta ndalonte, ai u largua me shpejtësi, duke hipur edhe në trotuar. Më pas braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Sipas ITV News, gjatë arratisjes Vata hodhi një pako me kokainë në një shkurre, ndërsa policia e gjeti të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Në momentin e arrestimit iu gjetën 560 paund dhe ai rezultoi pozitiv për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Por kjo nuk ishte përplasja e tij e parë me policinë britanike. Më 13 prill 2024, në Kent, Vata kishte humbur kontrollin dhe përmbysur një automjet të klonuar, pasi nuk ishte bindur ndaj urdhrit të policisë për të ndaluar, në East Malling. Në automjet u gjetën disa qese me kokainë dhe targa automjetesh.
Vata u dënua me pesë vite burg pasi pranoi fajësinë për dy akuza për posedim me qëllim shpërndarjen e drogave të klasës A, dy akuza për drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.
