Dhjetë vatra zjarri janë regjistruar në territorin e vendit deri në orën 14:00 të ditës së sotme, nga të cilat 7 vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera mbahen nën monitorim.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 70 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive janë evidentuar në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.
Në Dajt, zjarri është riaktivizuar, ndërsa operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter, 13 forca të MZSH-së dhe 9 forca të AZM-së. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët, ndërsa vijojnë ndërhyrjet e Shërbimit Pyjor dhe MZSH-së.
Situata më problematike paraqitet në Gojan dhe Gjegjan të Pukës, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat operacionale janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa ndërhyrja po mbështetet nga 40 efektivë të FA-së, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë. Aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, Gurë-Lura dhe Qafë Helmes vijojnë të mbahen nën monitorim, me situatën të stabilizuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/gj.m/j.p/
