Apolonia ka fituar 2-1 ndaj Tomorit në miqësoren e zhvilluar në Berat, një test që i paraprin startit të kampionatit të Katgorisë së Dytë, ku fierakët do të luajnë ndeshjen e parë zyrtare më 12 shtator.
Për Apoloninë ky ishte testi i katërt, ndërsa Tomori zhvilloi ndeshjen e parë miqësore të fazës përgatitore. Trajneri Klodian Arbëri aktivizoi që nga minuta e parë edhe tre futbollistë të rinj, Nano, Daullexhiu dhe Dërrasa, me synimin për t’u dhënë eksperiencën e nevojshme për sezonin e ri. Apolonia e nisi më mirë takimin dhe krijoi disa raste në minutat e para. Në të 12-ën, Mahmutaj finalizoi një aksion të shpejtë dhe kaloi fierakët në avantazh.
Në minutën e 21-të, Apolonia dyfishoi shifrat. Derrik përshkoi rreth 40 metra me topin dhe realizoi një gol të bukur për 0-2. Miqtë patën edhe mundësi të tjera për të shënuar, por nuk treguan saktësi në finalizim. Tomori nuk u dorëzua dhe në minutën e 45-të, i riu 18-vjeçar Dërrasa realizoi pas një aksioni personal, duke ngushtuar diferencën në 1-2. Në pjesën e dytë, Tomori mori kontrollin e lojës dhe e zhvendosi atë në gjysmëfushën e Apolonisë, duke krijuar disa raste të mira për barazim.
Megjithatë, fierakët u mbrojtën mirë, ndërsa portieri Kaceli ndali disa tentativa. Apolonia mbeti e rrezikshme në kundërsulme dhe në minutat 64’ dhe 72’ pati mundësi të shënonte golin e tretë, por portieri Kaceli reagoi me sukses. Në fund, Apolonia fitoi 2-1 dhe mori një tjetër rezultat pozitiv në prag të startit të kampionatit.
Tomori – Apolonia 1-2
Golat: Dërrasa 45’ / Mahmutaj 12’, Derrik 21’
Tomori: Kaceli, Çaço, Boateng, Basha, Ntepe, Hyseni, Nano, Dërrasa, Daullexhiu, Rahman, Gjata. (U aktivizuan: Zoga, Arza, Buda, Granado, Lirëza). Trajner: Klodian Arbëri
Apolonia: Ndoni, Sanaj, Kajolli, Amafuela, Hoxha, Rakipaj, Shkodra, Asamoa, Rrapaj, Derrik, Mahmutaj. (U aktivizuan: Sinaj, Beraj, Koço, Kudamo, Samir, Zaka, Sulo). Trajner: Noor Alam
Gjyqtarë: H. Arapi, M. Sulçe (Fier), I. Luzi (Kuçovë).
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

