Aktualitet

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 31 vatra zjarri në 24 orë, 3 ende aktive dhe 6 nën mbikëqyrje

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 31 vatra zjarri në 24 orë, 3 ende aktive dhe 6 nën mbikëqyrje
FieriSot · Foto ilustruese

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se bazuar në informacionet e raportuara nga strukturat e sistemit të mbrojtjes civile, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 31 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.

Me tej bëhët e ditur se për menaxhimin e situatës janë angazhuar 370 forca operacionale dhe 22 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë me zinxhir dhe 3 helikopterë.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat e sistemit të mbrojtjes civile, tre vatrat aktive ndodhen në Malin e Dajtit, Ballenjë dhe Qafën e Helmës.

Ndër të tjera, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se në Malin e Dajtit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 zjarrfikës, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë u përdor edhe një helikopter i FA-së.

Sot operacioni vijon me 20 efektivë të FA-së dhe sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ky bilanc tregon përpjekjet e koordinuara të strukturave të mbrojtjes civile dhe Forcave të Armatosura për të vënë nën kontroll situatën e zjarreve, duke përdorur mjete tokësore dhe ajrore për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur komunitetet e afërta.