03.11.2026Moti në Fier
Fieri Sot
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Policia e Shtetit apel: Kujdes nga SMS-të mashtruese në emër të institucioneve bankare

admin · 03.11.2026 · 4 min lexim

 Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik, paralajmëroi sot qytetarët për qarkullimin e mesazheve telefonike (SMS) mashtruese, të cilat dërgohen në emër të institucioneve të ndryshme bankare, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare, si dhe përvetësimin e paligjshëm të fondeve nga llogaritë e qytetarëve.

Sipas Policisë së Shtetit, nga rastet e evidentuara, rezulton se qytetarëve u dërgohen SMS nga numra të ndryshëm telefoni, në të cilat autorët prezantohen në mënyrë të rreme si institucione bankare, duke i njoftuar se duhet të kryejnë verifikimin e identitetit brenda një afati të shkurtër kohor, zakonisht 24 ose 31 orë.

Policia nënvizon se në përmbajtje të këtyre mesazheve vendosen lidhje elektronike (linke), të cilat nuk u përkasin faqeve zyrtare të bankave, por synojnë t’i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara, të krijuara për të përvetësuar të dhënat e tyre.

Argjendari Enklev — Telefon, Facebook dhe Instagram

“Kjo formë mashtrimi kibernetik, e njohur si “Smishing”, synon të shfrytëzojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve bankare dhe ndjesinë e urgjencës që krijohet nga afatet e vendosura në mesazhe”, njoftoi policia.

Nëpërmjet këtyre faqeve, Policia e Shtetit theksoi se “autorët synojnë të sigurojnë të dhëna të ndjeshme, si numrat e kartave bankare, fjalëkalimet e shërbimeve bankare online dhe kodet e verifikimit. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për të siguruar akses të paautorizuar në llogaritë bankare të qytetarëve dhe për të kryer transaksione financiare, duke përvetësuar fondet e tyre”.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin këto masa parandaluese.

“Mos klikoni në lidhjet elektronike që përmbajnë SMS-të e dyshimta, pavarësisht se në përmbajtjen e tyre mund të shfaqet emri i një banke të njohur. Mos jepni në asnjë rast të dhënat e kartave bankare, fjalëkalimet, PIN-et apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve. Mos u ndikoni nga mesazhet që vendosin afate kohore për verifikimin e identitetit apo paralajmërojnë kufizimin e shërbimeve bankare. Verifikoni çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me bankën tuaj, nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit. Nëse keni vendosur të dhënat tuaja bankare në një lidhje të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për të kërkuar bllokimin e kartës apo të aksesit në llogari dhe raportoni rastin në Polici”, njoftoi Policia.

Policia e Shtetit sqaron gjithasht se përdorimi i emrit të një institucioni bankar në një SMS nuk do të thotë se mesazhi është dërguar nga vetë banka.

Sipas Policisë, qytetarët duhet të verifikojnë gjithmonë burimin e komunikimit dhe adresën elektronike përpara se të ndërmarrin çdo veprim.

Strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik vijojnë punën për evidentimin dhe hetimin e këtyre veprimtarive kriminale, identifikimin e autorëve dhe parandalimin e dëmeve financiare ndaj qytetarëve.

Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë marrë mesazhe të tilla apo kanë rënë viktimë e këtyre skemave mashtruese, të denoncojnë rastet pranë strukturave të Policisë, duke ruajtur mesazhet, numrat e telefonit nga të cilët janë dërguar dhe lidhjet elektronike që ato përmbajnë.

“Mbrojtja e të dhënave bankare fillon nga kujdesi i secilit prej nesh. Mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos ndani të dhënat tuaja financiare!”, theksoi Policia.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *