03.11.2026Moti në Fier
Fieri Sot
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Belo! Kohët kanë ndryshuar, edhe Policia e Shtetit nuk është më ajo e Saliut! – Nga Vladimir Muçaj

admin · 03.11.2026 · 4 min lexim

Dje lexova një prononcim të Belo Këlliçit, i cili deklaronte se, në rast se PD vjen në pushtet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, do të ketë të njëjtin fat si homologu i tij në Serbi pas fitores së studentëve. Një krahasim që duket se vjen nga një imagjinatë politike e mbetur diku në të shkuarën. Belo ngatërron zhvillimet në Serbi me realitetin shqiptar dhe, mbi të gjitha, harron se kohët kanë ndryshuar. Bashkë me kohën kanë ndryshuar edhe qytetarët, reagimi i tyre dhe mënyra se si shoqëria e percepton raportin mes policisë dhe politikës.

Ndoshta Belo e ka ende në kujtesë periudhën kur Policia e Shtetit përdorej si instrument i pushtetit të Sali Berishës, kur militantizmi politik dhe uniforma policore nuk qëndronin gjithmonë në anë të ndryshme të ligjit. Por Shqipëria e sotme nuk mund të gjykohet me kujtimet e asaj kohe. Nëse do ta ilustroja më tej këtë ndryshim, do të thoja se edhe ti, Belo, ke ndryshuar! Dallimi është se tek ti ndryshimi duket më shumë në pamjen fizike. Dikur i qethur, i rruar dhe pa asnjë fije qime në faqe, sot je shfaqur i pajisur me një mjekër të zezë, thuajse të qëndisur. Pra, koha ka kaluar dhe ti ke ndryshuar pamje, por duket se ke mbetur në të njëjtën mënyrë të menduari për institucionet.

Drejtuesi aktual i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ashtu si drejtuesit e drejtorive vendore dhe të qarqeve në të gjithë vendin, nuk përfaqësojnë profilin e drejtuesve të kohës së Saliut. Këtë mund ta them publikisht, jo si një parashikim politik, por si një dallim mes dy realiteteve dhe dy mënyrave të konceptimit të detyrës. Hita ka ndërtuar karrierën e tij në Policinë e Shtetit, me përvojë drejtuese në Durrës, Fier dhe tashmë në krye të institucionit. Rezultatet dhe mënyra e drejtimit të tij duhen vlerësuar mbi bazën e punës konkrete, të ligjit dhe të përgjegjësisë institucionale, jo mbi kërcënimet e një politikani që shpall paraprakisht fatin e drejtuesve të policisë.

Argjendari Enklev — Telefon, Facebook dhe Instagram

Në protestat e fundit, Policia e Shtetit është përballur me situata të tensionuara, duke pasur për detyrë të ruajë rendin, të mbrojë qytetarët dhe të identifikojë personat që kryejnë akte dhune, shkatërrimi apo plaçkitjeje. Ata që dalin me kapuçë të zinj dhe kryejnë veprime të tilla nuk mund të fshihen pas emrit të protestës. Përgjegjësia është individuale dhe ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Kjo është detyra e policisë, pavarësisht se kujt i pëlqen apo nuk i pëlqen rezultati i punës së saj.

Belo, pas gjithë këtyre rreshtave që të kushtova, më duhet të të kërkoj ndjesë vetëm për një detaj. Në kohën e atyre gjëmave të policisë së Saliut, ti ke qenë ende i vogël në moshë dhe, me shumë gjasë, pa mjekër. Nuk mund të të kërkoj të mbash përgjegjësi personale për një periudhë kur nuk kishe ende rolin politik që ke sot. Por sot je rritur, ke hyrë në politikë, ke lënë pas faqet e rruara dhe ke fituar edhe mjekrën. Do të ishte mirë që bashkë me pamjen të kishe ndryshuar edhe këndvështrimin për institucionet. Sepse Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie dhe drejtuesit e saj nuk janë njerëz që presin lejen e politikës për të bërë detyrën. Skënder Hita le të vazhdojë të drejtojë policinë, ndërsa Belo le të kujdeset për mjekrën dhe bilancin e vet politik.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *