Esmeralda Hasani është emëruar drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot emërimin e saj, pas shkarkimit të Vlora Hysenit.
Kjo e fundit është nën masën e sigurisë arrest në shtëpi e akuzuar se ndihmoi biznesmeni Ergys Agasi, gjatë kohës që ishte në arrati dhe e ndihmoi me informacione sekrete.
Hasani shërbente si këshilltare pranë Kryeministrisë. Gjithashtu ajo është pjesë e strukturës së SHISH pasi ka drejtuar Departamentin e Mbështetjes.
Sipas njoftimit të Presidencës, emri i saj është propozuar nga kryeministri.”Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të neneve 92, shkronja “f” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, me dekret nr. 595, datë 12.11.2026, dekretoi sot emërimin e zonjës Esmeralda Hasani në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Përpara dekretimit, janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit si të parashikuara në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta”, njoftoi Presidenca.
Hasani është diplomuar në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Milanos. Gjithashtu, ka përfunduar studimet Master në Planifikimin dhe Zhvillimin e Projekteve në Innovation Business School, në Bruksel.
Veprimtaria e saj profesionale është përqendruar në procesin e mësimdhënies në fushën e së Drejtës Evropiane. Në këtë drejtim, ajo zotëron njohuri të thelluara mbi të gjithë procesin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në fushën e menaxhimit të projekteve, ajo ka fituar përvojë të gjerë në të gjitha fazat e zhvillimit të tyre, duke filluar nga krijimi i partneriteteve, konceptimi i idesë dhe hartimi i projektit, deri te shkrimi dhe zbatimi i tij. Nga shtatori 2015 deri në shtator 2019, ajo ka ushtruar detyrën e Drejtoreshës Ekzekutive të Institutit Barleti për Kërkim dhe Zhvillim, duke arritur rezultate të shkëlqyera.
Ajo është eksperte e pavarur e Komisionit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe e angazhuar aktivisht në projekte kërkimore, arsimore dhe inovative në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, në bashkëpunim me kompani, universitete dhe qendra kërkimore lider në mbarë botën.
Në këtë kuadër, së fundmi, ajo është përzgjedhur nga Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri si Konsulente Ndërkombëtare për Zhvillimin e Projekteve.Nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, ajo ka qenë pjesë e kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën, në cilësinë e këshilltares dhe shefes së kabinetit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në procesin e krijimit dhe konsolidimit të institucioneve të reja për diasporën.
Ajo është ideatore dhe autore e projektit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, duke garantuar suksesin e propozimit të projektit. Që nga shtatori 2019, ajo drejton Institutin Adriapol – Rritje e Mençur dhe Kreative (Smart and Creative Growth).



Leave a Reply