Reshjet e dendura të shiut që pritet të përfshijnë vendin të enjten, më 26 nëntor, mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara në zonat urbane, vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), në buletinin e fundit mbi rreziqet natyrore, paralajmëron se në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
Reshjet intensive pritet të sjellin gjithashtu rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm të vendit, përfshirë Drin-Bunën, Matin, Ishmin, Erzenin, Shkumbinin, Semanin dhe Vjosën.
Shkodra, qarku më i prekur nga reshjet
Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, reshjet më intensive pritet të regjistrohen në qarkun e Shkodrës.
Në qarqet Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive.
Në qarqet Elbasan dhe Fier reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
Në të gjitha qarqet e vendit reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata.
Për pasditen e së mërkurës, më 25 nëntor, parashikohen reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Erë e fortë deri shumë e fortë në bregdet
Përkeqësimi i kushteve atmosferike do të shoqërohet edhe me intensifikim të erës, veçanërisht në zonat bregdetare.
Të enjten, era pritet të fryjë mesatare në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në bregdet do të jetë e fortë deri shumë e fortë.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në bregdet, nga 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë në zonat malore.
Parashikimi i Institutit të Gjeoshkencave mbulon periudhën deri në mesnatën e 26 nëntorit.




Leave a Reply