Gati paketa e dytë e mbështetjes për fermerët me rreth 22 milionë dollarë
Brenda këtij muaji pritet që të finalizohet edhe paketa e dytë e mbështetjes për t’ju ardhur në ndihmë fermerëve, të cilët mbeten jashtë skemës në fazën e parë, për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve.
Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar ka deklaruar se fondi që do të akordohet pritet të jetë në vlerën e 22 milionë dollarëve, duke e çuar në rreth 55 milionë dollarë mbështetjen për fermerët.
Akti Normativ parashikohet që të kalojë për miratim brenda këtij muaji, ndërsa shumë shpejt pritet të bëhen publike edhe skemat lehtësuese, që do të aplikohen në mbështetje të agroturizimit në zonat malore të vendit.
Këtë vit fondi për skemat kombëtare të mbështetjes ishte rreth 33 milionë dollarë, ndërsa numri i aplikimeve arriti në më shumë se 71 mijë. Kjo bëri që një pjesë prej tyre të mbeteshin jashtë skemave. Këto familje të përjashtuara në fazën e parë, do të kenë mundësi që të përfitojnë përmes paketës së dytë, që do të bëhet aktive pas disa javësh.
Sipas Scan TV