Kryeministri Edi Rama do të zyrtarizojë listën e kandidatëve të Partisë Socialiste vetëm pak orë para afatit përfundimtar të dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryesia e PS do të mblidhet të mërkurën në orën 19:00 për të përfunduar përzgjedhjen e emrave, bazuar në kornizat dhe parimet e përcaktuara më herët nga Rama.
Kryesocialisti ka paralajmëruar se lista e mbyllur do të dominohet nga figura të reja, pa ngarkesa politike, ndërsa shumica e deputetëve aktualë do të duhet të luftojnë për një mandat në listat e hapura. Një grup prej 12 drejtuesish politikë të PS-së do të jenë në zonën e sigurt, ndërsa për kryebashkiakët e Durrësit dhe Shkodrës nuk ka sinjale për përfshirje në listë.
Vetë Rama la të hapur mundësinë për të mos kandiduar, ndërsa mes emrave të rinj që pritet të përfshihen janë ministra si Pirro Vëngu, Adea Pirdeni, Igli Hasani dhe Petrit Malaj. Deputetët e njohur si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko pritet të jenë në listat e hapura, ndërsa Petro Koçi ka njoftuar tërheqjen nga gara.
Lista përfundimtare do të dorëzohet në KQZ deri në mesnatë, pas konfirmimit nga strukturat e partisë.