Home Aktualitet Platforma “Hapësira ime publike”: Fieri mes qyteteve me më shumë raportime për...

    Platforma “Hapësira ime publike”: Fieri mes qyteteve me më shumë raportime për shkelje

    582

    Zaptimi i trotuareve, ndërtimet pa leje dhe parkimet private të paligjshme rezultojnë të jenë 3 shqetësimet kryesore të qytetarëve.

    Report Tv ka bërë një bilanc të denoncimeve të platformën “Hapësira ime publike”, krijimin e të cilës Kryeministri Edi Rama e njoftoi 5 ditë më parë, për të marrë raportime nga shkeljet në territor.

    Në total rezultojnë 4501 denoncime, prej të cilave janë zgjidhur deri tani vetëm 486 ose gati 1 në 11 nga rastet e raportuara nga qytetarët. Për pjesën tjetër denoncimet janë në proces shqyrtimi nga autoritetet.

    Tirana zë 50% të denoncimeve në rang vendi, ose 2246 shkelje të raportuara.

    Gjysma e tyre, ose 1146 denoncime, shkojnë për zënie të trotuareve ose hapësirave publike.

    318 raportime për parkimet e paligjshme private dhe 292 raste të ndërtimeve pa leje apo në shkelje të lejes. Në Tiranë shqetësuese mbetet ndotja fizike e akustike me 172 denoncime. 227 qytetarë kanë denoncuar për shkelje të tjera në dëm të pronës publike.

    Durrësi është qyteti i dytë me denoncimet më të mëdha, me 417 raste në total, prej të cilave kampion mban sërish zënia e trotuareve me 206 raportime.

    71 për ndërtimet pa leje dhe 67 për parkime private të paligjshme. Edhe në Durrës ndotja fizike e akustike është shqetësuese.

    Vlora si një nga qytetet më në zhvillim për shkak të turizmit, regjistron 236 denoncime. Edhe këtu zaptimi i trotuareve dhe hapësirave komunitare mbetet shqetësimi kryesor me 101 raportime, për të vijuar me ndërtimet pa leje në 45 raste, parkimet dhe ndotja akustike.

    Edhe qytetarët e Elbasanit ndjejnë të njëjtin shqetësim, zaptimi i trotuareve në 65 raste nga 172 në total. 34 denoncime për ndërtime pa leje dhe 27 për parkimet.

    157 denoncime kanë ardhur nga qytetarët e Shkodrës, dhe 129 nga të Fierit. Edhe në këto dy qytete shqetësimi kryesor mbeten trotuaret.

    Më pak denoncime vijnë nga Berati, Lezha, Gjirokastra, Korça, Kukësi dhe Dibra por edhe këtu zaptimi i trotuareve zë vendin e parë.

    Qytetarët duhet të plotësojnë një formular, me përshkrimin e ngjarjes apo shkeljes së pretenduar, të saktësojnë vendndodhjen dhe të ngarkojnë foto ose video nga hapësira e zaptuar. 

    Denoncuesi mund të vetëidentifikohet përmes portalit e-Albania, ose të qëndrojë në anonimat.

    Në rast të mosreagimit nga ana e autoriteteve brenda 24 orëve, qytetarëve u jepet mundësia e ankimit përmes një tjetër formulari.