Festat e fundvitit në Bibliotekën Publike Fier: Vlerësohen 10 lexuesit më të mirë
Në kuadër të festave të fundvitit Biblioteka Publike Fier organizoi ne ambientet e Pastiçeri “Bleta Premium” ceremoninë e saj tradicionale “Lexuesi më i Mirë i Vitit 2024,” ku u vlerësuan lexuesit më të dalluar të vitit. Ky aktivitet, i organizuar për të katërtin vit radhazi me mbështetjen e Bashkisë Fier, nderoi 10 lexues që kanë spikatur për numrin dhe cilësinë e librave të lexuar.
Gjatë ceremonisë, fituesit morën çmime dhe dhurata simbolike, një shenjë vlerësimi për pasionin e tyre ndaj librit. Kjo traditë e bukur ka si qëllim të frymëzojë më shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, për t’iu përkushtuar leximit.
Organizatorët shprehën kënaqësinë për rritjen e numrit të lexuesve të rinj gjatë vitit, një tregues i rëndësishëm i angazhimit të komunitetit për të mbështetur dhe promovuar kulturën e leximit në Fier.