Sport

“Me Besën vendosëm zemrën në fushë”, Maksuti: Synoj mbi 15 gola, Apolonia e kap “play off”-in

Nga Hilmi Saliu/ Sezoni i shkëlqyer që po zhvillon me Apoloninë, ka bërë që Erald Maksuti të marrë vlerësime dhe elozhe nga të gjithë. Sulmuesi shkodran na ka mësuar me gola spektakolarë dhe me një lojë brilante, çka e bën atë një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë së Parë.

Ai vuri firmën e tij në fitoren e fundit ndaj Besës dhe iu bashkua Mentor Mazrekajt në kuotën e 9 golave. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi 20-vjeçar flet për momentin e mirë të tij dhe tregon emocionet e golave të shënuar. Ai flet edhe për ndeshjen e së dielës në Rrogozhinë, objektivat e sezonit, si dhe çfarë synon të arrijë me fanellën e Apolonisë.

Cest la vie

Maksuti, e prisnit atë fitore të pastër kundër Besës?

Në çdo ndeshje kemi objektiv marrjen e rezultatit pozitiv, pavarësisht kundërshtarit, cilësisë dhe pozicionimit të tij në renditje. Ndaj Besës pretendente s’e prisnim të fitonim me një rezultat të tillë, por ishim të bindur që do të merrnin 3 pikët. Ishte një takim i vështirë dhe si i tillë luftuam me të gjitha forcat dhe energjitë tona në çdo centimetër të fushës për të dalë fitimtarë.

Ishit perfektë në të dyja fazat e lojës. Çfarë bëtë ndryshe, ose më mirë cili ishte çelësi i suksesit?

Duke ditur shkallën e lartë të vështirësisë, ne e kishim përgatitur deri në detajet më të vogla këtë ndeshje. E kishim përgatitur me kujdes gjatë gjithë javës dhe natyrisht e interpretuam shumë mirë në fushë. Ditëm ta menaxhonim mirë rezultatin dhe padyshim gjithë ndeshjen. Ekipi vendosi zemrën në fushë, ishte dhe ndeshja e fundit për këtë vit dhe donim ta mbyllnim në mënyrën më të mirë të mundshme. Ishim të gjithë të motivuar për një paraqitje dhe një mbyllje sa më dinjitoze dhe ia dolëm.

Me Besën zhvilluat një ndeshje pozitive, ku gjetët edhe golin e nëntë sezonal. Si ndiheni dhe cilin gol do të veçonit më shumë?

Jam shumë i kënaqur që po ndihmoj ekipin çdo javë dhe kjo është e para. Jam në një formë të mirë sportive dhe shpresoj që të vazhdoj kështu. Të gjithë golat e shënuar janë të rëndësishëm dhe kanë veçantinë e tyre, por goli i fundit mund të them se ishte më i miri, sepse shtyu ekipin drejt një fitore që na duhej shumë në këtë moment.

Keni një objektiv personal sa u takon golave?

Objektivi i parë ka qenë që të kalojë numrin e golave të sezonit të kaluar, që në fakt e kam kaluar. Objektivi i dytë është të kalojë mbi 15 të tillë. Kërkoj të shënoj shumë më shumë. Shpresoj të vijoj me këtë ritëm dhe të marr mbi supe më shumë përgjegjësi.

Cili është idhulli i Erald Maksutit në futboll?

Nuk kam një idhull në futboll, por mundohem të marr si shembull çdo sulmues që po shkëlqen në Europë, si në mënyrë individuale, ashtu dhe në mënyrë kolektive.

Vetëm vendi i tetë pas 17 javëve të luajtura, prisnit më shumë, apo jeni të kënaqur?

Sigurisht që me cilësinë dhe potencialin që kemi si skuadër, prisnim më shumë. Nuk jemi të kënaqur, pasi nuk jemi aty ku e kishim parashikuar. E nisëm këtë sezon me objektiv të qartë për të qenë në dy vendet e para në renditje, që të mundësojnë ngjitjen direkt në Superiore. Ky pozicion që kemi aktualisht, për mendimin tim, nuk është më i miri dhe as ai që prisnim, por do të arrijmë “play off”–in, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button