Njerëzit e punës

Bën 3 punë në ditë, historia e 26 vjeçares nga Fieri: Më gjykojnë se zgjodha zanat burrash! (Video)

Është vetëm 26 vjeç, por me disiplinë dhe vullnet ia ka dalë të jetë e suksesshme në profesionin e saj si skulptore. Edjola Mavriqi bën 3 punë për t’ia dalë e vetme në Tiranë.

Gjithnjë ka pasur dëshirën të krijojë vepra arti, qoftë përmes baltës apo bojës. Ndjesitë i shpreh përmes pikturës dhe skupturës.

Cest la vie

“Puna e parë është skulptore në një kompani ku bëj fasada të mëdha qeramike që vendosen nëpër pallate si dhe modelime në polisterol për projektet që kemi. Merrem edhe me kurse pikture, skulpture dhe poçerie. Ndërsa gjatë mbrëmjes merrem me pikturat, projekte private.

Menaxhimi i 3 punëve nuk është aspak i lehtë, por është një gjë që unë e kam zgjedhur dhe e bëj me shumë dëshirë. Një nga pikat e mia më të forta është përgjegjësia dhe disiplina në punë, çka më ka bërë të arrij deri ku jam sot”, tregon Edjola.

Dëshira për t’i dhënë formë objekteve e orientoi tek skulpturat. Natyra e saj guximtare ka spikatur që në fakultet. Pavarësisht episodeve të vështira, nuk është dorëzuar asnjëherë.

“Një nga momentet kyç të pjesëmarrjes në fakultet ka qenë konkursi ku kishim për të krijuar portretin e një njeriu në përmasa normale. Unë nuk doja të isha si të tjerët dhe të kisha një portret normal. Vendosa ta bëja më të madh duke harruar se pjesa e mbajtjes së argjilës nuk ishte në përmasat e duhura. Dita e parë ishte një nga më të këqijat sepse portreti ra i gjithë në tokë. Mendova se e humba shkollën, por me ndihmën e një pedagogu ia dola ta bëja ditën tjetër brenda një ore.

Fitova konkursin, fitova shkollën e lartë për skulpturë. Arrita të diplomohem, bëra masterin për qeramikë. Sot kam studion time dhe këto ishin arritje për mua sepse nuk u dorëzova në momentin që më ra ajo punë. Pra, asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi nëse mendojmë që është fundi, gjithmonë ka diçka aty që ne duhet t’i japim forcë vetes që ta çojmë prap nga e para”, thotë e reja.

Paragjykimet kanë qenë prezente, por i ka lënë pas krahëve.

“Është pak e vështirë të jesh skulptore në Shqipëri, aq më tepër që njerëzit janë pak gjykues dhe mendojnë që skulptura është për meshkuj dhe do forcë. Skulptura është për këdo që ka dëshirë ta bëjë atë”, thotë mes të tjerash duke motivuar edhe vajzat e tjera që kanë dëshirë të eksperimentojnë në këtë disiplinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button