Nis puna për rehabilitimin e rrugës Hekal-Klos
Ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës Hekal-Klos në Mallakastër. Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi nga afër nisjen e punimeve. Sipas Ballukut rruga e re adreson kërkesat e komunitetit.
“Jemi në Hekal në Mallakastër, në një kantier të ri, në një kantier që adreson kërkesat e komunitetit. Pas takimeve që kemi bërë këtu, Fondi Shqiptar i Zhvillimit duke pasur mundësitë e kontratave kuadër që tashmë i ka të lidhura, kemi marrë vendimin që banorëve që janë në këtë zonë, të rinjve dhe të rejave, ne t’u japim mundësinë që ata të udhëtojnë në rrugë të mira, ashtu siç po ndodh në gjithë Shqipërinë”, tha Balluku.
Përfaqësuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit tha se rruga do t’i shërbejë jo vetëm komunitetit, por edhe për zhvillimin e turizmit në zonë.
“Është rikonstruksioni i rrugës Hekal-Klos. Është një investim, vijim i dy investimeve të mëparshme që do të finalizojnë të gjithë pjesën e unazës lidhëse që lidh rrugën nacionale me pjesën e Hekalit për të dalë në Klos, për t’u ngjitur dhe për të dalë përsëri në pjesën finale të unazës. Do t’i shërbejë njëkohësisht përveç bashkisë, do t’i shërbejë dhe komunitetit për pjesën bujqësore, njëkohësisht edhe turizmit që e lidh me pjesën e Bylisit sipër”, tha përfaqësuesi i FSHZH-së.
Sipas tij do të ketë edhe një zgjerim të trupit të rrugës nga 3.5 metra që është, do të shkojë në 4.5 metra. Po ashtu do të ketë edhe një zgjerim dhe përmirësim të pjesës së kthesave. Ai bëri me dije se është një kontratë që do të zgjasë më pak se 8 muaj dhe se deri në sezonin e vitit të ardhshëm do të jetë gati.
“Nuk lidh thjesht dy fshatra, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Është një rrugë që do të mundësojë lëvizjen e turistëve për të parë edhe dy qytetet antike”, tha kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
“Jam interesuar dhe më rezulton se edhe numri i vizitorëve në dy parqet arkeologjike që ka në Mallakastër është shtuar shumë”, tha Balluku.