Zgjedhjet e 11 majit, KQZ cakton numrin e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi sot numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
KQZ vendosi që lista shumemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, ndërsa renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
Partitë politike parashikohet që të paraqesin një listë të ndarë në dy pjesë, ku 46 kandidatë do të jenë në listë të mbyllur, kurse 140 në listën e hapur, ku garohet për secilën votë.
Konkretisht në qarkun e Tiranës i cili ka 37 mandate 12 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 37 do t’i nënshtrohen votës, ndërsa në qarkun e Durrësit që ka 14 mandate 5 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 14 do t’i nënshtrohen votës.
Ndërsa në qarkun e Fierit me 16 mandate, 5 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 16 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Korçës me 10 mandate, 3 kandidatë do të jenë të renditur dhe 10 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Kukësit me 3 mandate, 1 do të jetë në listë dhe 3 do t’i nënshtrohen votës. Në qarkun Lezhë me 7 mandate, 2 do të jenë në listë dhe 7 do t’i nënshtrohen votës.
Në Shkodër me 11 mandate, 4 do të jenë në listë dhe 11 do t’i nënshtrohen votës dhe në Vlorë me 12 mandate, 4 do të jenë në listë dhe 12 do t’i nënshtrohen votës.
Po ashtu, në qarkun e Beratit i cili ka 7 mandate, 2 prej kandidatëve do të jenë të renditur në listë dhe 7 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Dibrës me 5 mandate, 2 janë të renditur dhe 5 do t’i nënshtrohen votës; në Elbasan me 14 mandate, 5 janë të renditur dhe 14 i nënshtrohen votës dhe në Gjirokastër me 4 mandate, 1 kandidat do të jetë në listë dhe 4 do t’i nënshtrohen votës.
Gjithashtu, KQZ kujtoi se lista shumemërore duhet të respektojë kuotën gjinore.
“Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një në çdo tre emra të kandidatëve të listës shumemërore me renditje të fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar. Mospërmbushja nga subjekti zgjedhor i detyrimit të sipërpërmendur sjell refuzimin e listës shumemërore për t’u regjistruar
në KQZ”, thuhet në vendimin e KQZ-së.