Fierakja Xhesika Ndoj shkëlqen me dopietë, Shqipëria fiton 4-0 ndaj Azerbajxhanit

Shqipëria U-19 për vajza triumfoi me rezultatin 4-0 ndaj Azerbajxhanit, sfidë e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian U-19.

Dopieta e futbollistes së Apolonisë Xhesika Ndoj dhe Rosela Vasës i dha fitoren skuadrës kuqezi, të drejtuar nga trajnerja Luçije Gjini.

Trajnerja shqiptare hodhi në fushë këtë formacion: Rajmonda Spahiu (GK), Herta Hasaj, Angela Nika, Stiljana Guga, Stela Vata, Klesta Ago, Rosela Vasa, Rigela Hysa, Era Methoxha, Xhesika Ndoj (c), Adela Qose.

Kombëtarja shqiptare dominoi që nga fillimi i takimit, duke krijuar raste të shumta shënimi. Avantazhi erdhi në minutën e 22-të me një gol të kapitenes Xhesika Ndoj, ndërsa skuadra kontrolloi lojën deri në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria e nis furishëm dhe Ndoj realizon golin e dytë për vajzat kuqezi në minutën e 47-të. Vajzat e drejtuara nga Gjini vijuan me ritëm të lartë, ndërsa Rosela Vasa shënoi dy herë radhazi, në minutat 56’ dhe 69’, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.
Një fitore mëse e merituar për Kombëtaren U-19, e cila tregoi karakter dhe vendosmëri në këtë sfidë.Shqipëria U-19 do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit të këtij raundi më 24 shkurt ndaj Irlandës së Veriut.
Takimi do të luhet në stadiumin ‘Egnatia Arena’ në orën 14:30 dhe hyrja do të jetë falas.