Home Aktualitet Protesta e opozitës/ Rama: Organizator një plak i lajthitur, solidaritet për policët...

    Protesta e opozitës/ Rama: Organizator një plak i lajthitur, solidaritet për policët e lënduar

    425

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër për protestën e opozitës ditën e djeshme.

    Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, ai i quan mercenarë protestuesit e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt dhune të organizuar dhe të papranueshëm në një vend europian.

    Në reagimin e tij, Rama shprehet se në Europë ka lloje të ndryshme protestash dhe protestuesish, nga anarkistë e ekologjistë, te studentë apo grupe ekstremiste, të cilët shpesh maskohen dhe kryejnë akte vandalizmi, duke dëmtuar prona dhe plagosur punonjës policie.

    “Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për  të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!”, thotë kreu i mazhorancës.

    Ai akuzon edhe kryeopozitarin berisha si organizator:

    “Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!”, thotë kryeministri mes të tjerash.

    Kryeministri nënvizon se ekziston vetëm një parti parlamentare në Europë që, që nga krijimi i saj, e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit politik.

    Në fund, Rama e shoqëron postimin e tij me një album fotografik nga pasojat e protestës së opozitës dhe efektivët e plagosur që po trajtohen në spital.