90 vjet më parë, më 8 shkurt 1936, do të shfaqej në qytetin e Fierit pjesa e parë teatrale. Do të ishin një grup të rinjsh të apasionuar pas teatrit që do të vinin në skenë dramën ‘’Fe e kombësi’’ të autorit Kristo Floqi.

Trupa teatrale përbëhej nga aktorët amatorë Avdulla Rama, Mina Veshi, Llaqi Kola, Hysen Xheka, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Jorgji Andrea, Sotir Argjendari, Stavri Poro, Andon Poro, Zoi Gjerazi, Nasi Bogo dhe Paskal Pogaçe.

Regjizori i saj ishte mësuesi Llaqi Kola, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, që ishte marrë me teatër qysh gjatë viteve të studimeve. Me këtë dramë do të zhvillohej edhe turneu i parë artistik i kësaj trupe në qytetet fqinje të Lushnjes dhe Beratit.

Ndërsa gjatë viteve 1937-1938, do të viheshin në skenë edhe dy vepra të tjera teatrore. Të tilla ishin komedia e Molierit “Doktor pa dorashka” dhe drama “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit.
Në vitin 1938, trupa teatrore do ta ndërpriste aktivitetin e saj, duke mbyllur në etapën e parë të lindjes dhe fillimit të teatrit në Fier.
Ndërkohë pas Çlirimit do të regjistroheshin të tjera zhvillime në këtë fushë. Do të ishte viti 1945 që do të shënonte rinisjen e aktiviteteve teatrore në Fier, të cilat do të organizoheshin në mënyrë të rregullt mbi baza amatore.
Ato do të intensifikoheshin në vitin 1947 me krijimin Teatrit Dramatik, pranë Shtëpisë së Kulturës. Tradita e krijuar tashmë do ta ngrinte zhvillimin e dramaturgjisë në një stad më të lartë duke i hapur rrugën ngritjes së trupave profesioniste.

Të tilla do të ishin krijimi i Estradës në vitin 1957 dhe i Teatrit Bylis në vitin 1971. Po kështu, më 1971 do të krijohej edhe Teatri i Kukullave i cili do të merrte më vonë edhe emrin e regjizorit të parë të trupës së tij dhe asaj të Estradës: Llazar Verria.

