Mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë nga nëntori i 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në protestën “Drejtësi, jo politik” e organizuar nga “Liria ka Emër”, kanë marrë pjesë edhe krerët e shtetit. E pranishme është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kreut të Grupit të PS, Taulant Balla.Ndërsa familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po ndjekin nga Haga marshin “Drejtësi, Jo Politikë”.
Vëllezërit dhe nipat e Thaçit, djali i Jakup Krasniqit dhe familjarë të tjerë po e ndjekin drejtpërdrejt nga televizioni bashkë në Hagë këtë protestë në Prishtinë.
Përfaqësuesi i nismës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli tha se “qyetarët duan drejtësi dhe jo politikë dhe sot në këtë ditë ne dërgojmë një mesazh të veçantë për ata që gjenden në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerë… Ju nuk jeni vetëm, pas jush qëndron një komb i tërë. Pas jush qëndron sakrifica, liria jonë”.
Tasholli nënvizoi se nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë, atëherë nuk mund të quhet më e tillë. “Drejtësia nuk mund të jetë selektive apo e dirigjuar, por transparante dhe e drejtë për të gjithë”, u shpreh ai duke shtuar se “ky është fillimi, nuk do të ndalemi kurrë”.
Në protestë e ka marrë fjalën edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.Ajo tha se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të lirohen.
Ata e mbrojtën popullin e vet si gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Nëse doni me ditë se çfarë i bashkon shqiptarët, është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit të gjithë juve që i shërbyet atdheut kur më së shumti kishte nevojë”, u shpreh ajo.

