Këngëtari dhe kantautori shqiptar Ermal Meta është rikthyer në skenën e Festivalit të Sanremos 2026 me këngën Stella Stellina, një baladë e fuqishme me mesazh human dhe politik që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës.
Kënga, e frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, i kushtohet një fëmije nga Gaza dhe trajton tragjedinë e viktimave të pafajshme të luftës. Meta e ka përshkruar si “një këngë rezistence dhe shprese, pavarësisht gjithçkaje”. Çdo mbrëmje në skenë ai mban të qëndisur në jakë emrin e një vajze simbol i “bijave të të gjithëve” dhe “bijave të askujt” që lufta u ka marrë jetën.
Produksioni muzikor është realizuar në bashkëpunim me producentin dhe kompozitorin Dardust, i cili ka sjellë edhe elemente të muzikës së Lindjes së Mesme, përfshirë përdorimin e instrumenteve si oud, duke e bërë atmosferën e këngës edhe më emocionale.
Kritiku i muzikës Fabrizio Basso e ka cilësuar këngën si “një lutje laike nga breviar i njerëzimit”, duke i dhënë një vlerësim mes 8 dhe 9 pikësh.
Edhe pse jo menjëherë e kapshme si disa këngë të tjera në garë, “Stella Stellina” konsiderohet një nga propozimet më të forta artistikisht të këtij edicioni.
Më 27 shkurt, Meta do të publikojë albumin e ri Funziona Vitali, për të cilin thotë se është projekti që i ka dhënë më shumë, por edhe i ka marrë shumë emocionalisht.
Në mbrëmjen e cover-eve, ai do të performojë bashkë me Dardust këngën Golden Hour.Kjo është pjesëmarrja e gjashtë e Ermal Metës në festival.
Ai ka konkurruar më parë me këngë si “Vietato morire”, “Un milione di cose da dirti” dhe fituesen e vitit 2018 “Non mi avete fatto niente”, në duet me Fabrizio Moro. Pas asaj fitoreje, dyshja përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest, ku u rendit në vendin e pestë.
Meta ka theksuar se vendosi ta sillte këtë këngë në festival sepse “është koha të flasim edhe për fëmijët e të tjerëve”, duke shtuar se historia nuk i përket vetëm popullit palestinez, por mund të pasqyrojë tragjedi të shumta në mbarë botën.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, nëse do të fitojë dhe do të shkojë në Eurovision, nuk do të ndryshojë tekstin: “Kjo është një këngë njerëzore jo politike, por për brutalitetin e qenies njerëzore.”




