Përkujtohet këtë të shtunë në qytetin e Vlorës 29-vjetori i Tragjedisë së Otrantos. Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit si dhe qytetarë të Vlorës kanë përkujtuar një prej tragjedive më të rënda, atë të Otrantos ku humbën jetën 81 viktima.

Me iniciativë të ministres së shtetit për marrëdhëniet me parlamentin dhe deputetes së qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili, 81 karrige të lëna bosh në buzë të detit simbolizonin viktimat e kësaj tragjedie, si dhe një lule e hedhur në det, në përkujtim të gjithë atyre që humbën jetën.
Ministrja Ismaili thotë se kjo është një ngjarje që qytetit i dhemb, por harresa dhemb më shumë se ngjarja, ndaj tepër e rëndësishme që të përkujtohet çdo vit. Sipas Ismailit, ajo që mund të bëhet sot është të garantohet që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.
Për familjarët e viktimave të tragjedisë së Otrantos, kjo tragjedi është krijuar me dashje. Sipas tyre, familjarët ende përballen me dhunë psikologjike pasi janë lodhur në kërkim të drejtësisë. Sipas familjarëve, vendimi i gjykatës italiane, pavarësisht se ka pasur prova, ka qenë i padrejtë.
Më 28 mars 1997, anija shqiptare me 142 persona në bord u përmbys nga forcat italiane detare në Ngushticën e Otrantos, ku humbën jetën 81 persona, të cilët shpresonin se do të krijonin një jetë më të mirë në Itali pas trazirave që kishin prekur vendin tonë. Mes viktimave, fëmijë nga 3 muajsh deri në moshën 69 vjeç.




