Neoalb:
Rrapi Gjika ka njoftuar tërheqjen e tij nga strukturat aktive të Partisë Demokratike në Fier, përmes një mesazhi të shpërndarë ndaj kolegëve dhe drejtuesve të degës lokale.
Në reagimin e tij, Gjika shprehet i zhgënjyer nga një njoftim që e cilëson të papritur dhe të turpshëm, duke theksuar se është ndjerë i detyruar të flasë për situatën e krijuar brenda degës së PD në Fier.
Ai kujton se është zgjedhur me votat e demokratëve dhe se ka dhënë maksimumin në detyrën e tij, ndërsa nënvizon kontributin e tij të hershëm në Partinë Demokratike dhe angazhimin gjatë periudhave më të vështira të saj.
Gjika ngre akuza edhe për mënyrën se si është përbërë grupi i punës në degën e Fierit, duke pretenduar se janë përfshirë persona që nuk kanë qenë aktivë dhe që sipas tij kanë qenë kundër procesit të Rithemelimit, ndërsa janë lënë jashtë figura që kanë mbajtur peshën kryesore në strukturat lokale.
Ai e cilëson këtë proces si të gabuar dhe shprehet se krijon dyshime për pazare të brendshme politike.
Në fund të mesazhit të tij, Gjika falënderon demokratët për mbështetjen ndër vite dhe deklaron se nuk mund të jetë më pjesë aktive e një procesi që, sipas tij, “bie erë të qelbur”.
Rrapi Gjika ka mbajtur postin e kryetarit të Grupit të Këshilltarëve të PD në Bashkinë Fier dhe deri më 24 prill ka qenë kryetar i degës së PD Fier, i zgjedhur në Kuvendin e Rithemelimit.
Mesazhi i Plote i Rrapi Gjikes
“Të nderuar kolegë dhe drejtues të PD Fier,
Sot ndihem më i zhgënjyer se kurrë dhe më vjen keq për fjalët që po them, por ndihem i detyruar nga situata që po krijohet dhe nga ky njoftim i papritur e i turpshëm që është shpërndarë.
Siç e dini, jam zgjedhur me votat tuaja dhe jam përpjekur ta bëj detyrën sa më mirë. Kam dhënë maksimumin tim dhe jam munduar të jap më të mirën, me përkushtim dhe me zemër, sepse kam qenë dhe mbetem demokrat i orëve të para, me kontribute të vazhdueshme në Partinë Demokratike.
Edhe në periudhat më të vështira, kur shumë njerëz ishin larguar dhe ne zhvillonim mbledhjet nëpër lokale, kemi qëndruar pranë PD-së dhe kemi mbajtur gjallë strukturat e saj.
Mbase Sali Berisha nuk është në dijeni të asaj që po ndodh, por në grupin e punës janë përfshirë persona që nuk kanë qenë aktivë dhe që në shumë raste kanë qenë kundër Rithemelimit, madje kanë dëmtuar procesin. Ndërkohë, janë lënë jashtë shumica e kryetarëve dhe sekretarëve të grupseksioneve, të cilët kanë mbajtur peshën kryesore gjatë kësaj kohe, si dhe shumë anëtarë të kryesisë së Rithemelimit.
Kjo situatë është shumë e gabuar dhe krijon dyshime për pazare të bëra nga njerëz që janë marrë gjithmonë me interesa personale dhe lojëra të pista, ashtu si edhe para zgjedhjeve.
Ju kërkoj ndjesë për çdo keqkuptim apo pakënaqësi që mund të kem shkaktuar ndaj ndonjërit prej jush dhe ju falënderoj me gjithë zemër për bashkëpunimin dhe mbështetjen që kemi dhënë për njëri-tjetrin.
Por unë nuk mund të vazhdoj të jem pjesë aktive e një procesi që, sipas meje, po shkon në drejtimin e gabuar.
Me respekt,
Rrapi Gjika
Demokrat i orëve të para, i dekoruar nga Presidenti Sali Berisha si “Pishtar i Demokracisë”
Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të PD në Bashkinë Fier
Kryetar i Degës së PD Fier deri më 24 prill, i zgjedhur në Kuvendin e Rithemelimit të PD-së me kryetar Sali Berishën.”






