Home Lajme nga Fieri Shoqata e pëllumbave të postës proteston në Fier: Po na pengojnë të...

Shoqata e pëllumbave të postës proteston në Fier: Po na pengojnë të garojmë jashtë vendit

Dhjetra anëtarë të shoqatës “Pëllumbat e postës 2003” kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme në Fier, duke ngritur shqetësimin se po pengohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare jashtë vendit.

Na ndiqni në Instagram

Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, shkak është bërë një shkresë zyrtare e dërguar nga KOKSH drejt doganave, ku pretendohet se anëtarët e kësaj shoqate nuk lejohen të zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare pa u regjistruar pranë federatës përkatëse.

Ata pohuan se janë një shoqatë e njohur ndërkombëtarisht, e organizuar prej vitesh dhe pjesëmarrëse në gara kombëtare e ndërkombëtare në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Europës dhe se sportistët udhëtojnë rregullisht me automjete  e kafaze të pëllumbave  drejt vendeve ku zhvillohen aktivitetet dhe më pas rikthehen normalisht në Shqipëri pa u penguar nga askush deri më sot. 

Në kulmin e indinjatës ata pohuan njëzëri se disa javë më parë janë përballur me probleme edhe në kufirin me Kroacinë, ku u është bllokuar kalimi për shkak të kësaj situate administrative.

Ata theksuan se shoqata e tyre renditet mes më të mirave në botë për rezultatet sportive, ndërsa kundërshtojnë detyrimin për t’u regjistruar pranë federatës, duke argumentuar se funksionojnë si organizatë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht.

Përballë kësaj situate ata kanë pohuar se nëse do të ndalohen në doganë , do të përshkallëzojnë protestën e tyre.

Shqiptarja.com