Home Lajme nga Fieri Lajm i mirë/ Familjarët e denoncuan si të humbur, gjendet 84 vjeçari...

Lajm i mirë/ Familjarët e denoncuan si të humbur, gjendet 84 vjeçari nga Hekali

Pas disa ditësh larg banesës, familjarët kanë arritur të gjejnë në gjendje të mirë shëndetësore shtetasin Laver Metaj, 84 vjeç, banues në fshatin Hekal të Mallakastrës.

Na ndiqni në Instagram

I moshuari ishte larguar nga banesa e tij rreth orës 07:20 të datës 1 qershor, ndërsa prej asaj dite familjarët kishin humbur çdo kontakt me të.

Ishte djali i tij ai që kallëzoi humbjen në Komisariatin e Policisë Mallakastër, ndërsa sipas familjarëve, 84-vjeçari vuan nga probleme mendore dhe kohët e fundit kishte shfaqur vështirësi me kujtesën.

Kjo nuk ishte hera e parë që Laver Metaj largohej nga shtëpia duke humbur gjurmët, pasi edhe rreth një vit më parë ishte larguar nga banesa, por ishte gjetur nga familjarët një ditë më pas.

Largimi i fundit zgjati më shumë, duke i mbajtur familjarët në ankth për disa ditë me radhë. Ata kërkuan në zonën e fshatit Hekal, si dhe në fshatrat Fratar, Kash dhe Dukas, por kërkimet e para rezultuan të pasuksesshme.

Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe thirrjeve publike për ndihmë, mësohet se 84-vjeçari është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe është ribashkuar me familjarët e tij.