Gazetari i njohur fierak, Vladimir Muçaj, është rizgjedhur në krye të Degës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) për Qarkun Fier, duke marrë sërish besimin e komunitetit të gazetarëve të këtij qarku.
Zgjedhjet e radhës për drejtimin e degës së UGSH-së u zhvilluan më 6 qershor 2026, në prani të përfaqësuesve të organizatës, ku i deleguar për ndjekjen e procesit ishte koordinatori i UGSH-së, z.Besim Dybeli.

Në garën për drejtimin e degës morën pjesë Vladimir Muçaj dhe gazetarja Laureta Roshi. Pas votimit të fshehtë nga anëtarët e komunitetit të gazetarëve, Vladimir Muçaj u shpall fitues në garë me kolegen e mirënjohur ,Laureta Roshi.
Rizgjedhja e Muçajt konfirmon mbështetjen dhe vlerësimin që ai gëzon në radhët e gazetarëve fierakë, pas një angazhimi të gjatë në mbrojtjen e të drejtave profesionale dhe forcimin e rolit të medias në rajon.
Vladimir Muçaj është një nga emrat më të njohur të gazetarisë në Qarkun Fier. Ai ka kryer studimet në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku është diplomuar me titullin “Gazetar-Mësues”.
Më herët ka përfunduar arsimin e mesëm në shkollën “Asim Vokshi” në Tiranë.
Karrierën profesionale e ka nisur si mësues në rrethin e Mallakastrës gjatë viteve 1981-1996, për t’iu përkushtuar më pas gazetarisë.
Nga viti 1996 deri në vitin 2000 ka qenë gazetar i gazetës “Koha Jonë” për Qarkun Fier, ndërsa në vitet 2000-2010 ka bashkëpunuar me gazetën “Shekulli”, Radio +2 dhe televizionin TeleNorba Shqiptare.
Më pas, gjatë periudhës 2010-2014, ka ushtruar profesionin si gazetar për gazetën “Panorama” dhe TV Ora News, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2020 ka qenë pjesë e gazetave “Shqip” dhe “Sot”, si dhe kryeredaktor i Radio Star Fier.
Prej vitit 2020 e në vazhdim, Vladimir Muçaj ushtron detyrën e gazetarit dhe Drejtorit Ekzekutiv të medias online “NewsAlbania.al”.
Paralelisht, që nga viti 2010 ai drejton Degën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun Fier.
Gjatë karrierës së tij, Muçaj ka marrë pjesë në një sërë trajnimesh profesionale në fushën e gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun, të organizuara nga Instituti i Medias në Tiranë, si dhe në aktivitete ndërkombëtare të zhvilluara në Itali, Greqi, Kosovë dhe vende të tjera.
Rizgjedhja e tij në krye të UGSH-së Fier konsiderohet një vazhdimësi e përpjekjeve për forcimin e komunitetit të gazetarëve, mbrojtjen e standardeve profesionale dhe përfaqësimin e interesave të medias në qark.


