Home Lajme nga Fieri Lamtumira e fundit për Sotir Stefën: Homazhet në teatrin “Bylis” bashkojnë familjarë,...

Lamtumira e fundit për Sotir Stefën: Homazhet në teatrin “Bylis” bashkojnë familjarë, miq e kolegë

Mes dhimbjes së familjarëve dhe respektit të kolegëve, paraditen e sotme në sallën e teatrit “ Bylis” është përcjellë për në banesën e fundit aktori i njohur i teatrit dhe humorit fierak, Sotir Stefa.

Na ndiqni në Instagram

Edhe pse shpesh interpretoi role jo protagoniste, ai arriti të shkëlqejë në skenë, duke i kthyer personazhet dytësore në figura të paharrueshme për publikun.

Stefa u bë një nga artistët më të dashur për qytetarët fierakë, falë talentit, thjeshtësisë dhe aftësisë për t’i dhënë jetë çdo roli që interpretonte.

Familjarë, miq, kolegë, artdashës dhe qytetarë të shumtë iu bashkuan homazheve për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në artin skenik.

Vlerësime të ndjera për figurën dhe veprën e Sotir Stefës dhanë miqtë dhe kolegët e tij, Luftar Paja, Vasil Vaso dhe Xhulieta Kulla, të cilët e kujtuan me respekt dhe emocion bashkëpunimin e gjatë dhe miqësinë me aktorin fierak.

Me largimin e Sotir Stefës, Fieri humbi një prej figurave më të dashura të teatrit dhe humorit, ndërsa arti shqiptar një artist që la gjurmë të pashlyeshme në skenë dhe në kujtesën e publikut.