Avokati Kujtim Cakrani nuk do të përfaqësojë më Ilir Metën si avokat. Lajmi është bërë me dije nga Studio Ligjore Cakrani, duke thënë se marrëdhënia me kreun e Partisë së Lirisë është mbyllur për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.
“Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.”, thuhet në deklaratë.
Studioja Ligjore thekson se vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionin në fuqi, duke sqaruar se nuk ekziston asnjë konflikt interesi, akuzë apo përplasje mes palëve.
“Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi.
Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
”Në përfundim, Studio Ligjore “Cakrani” i uron ish presidentit Meta të gjejë përfaqësimin e duhur ligjor dhe garanton se do të respektojë konfidencialitetin e plotë të të gjitha informacioneve të marra gjatë ushtrimit të mandatit si avokat mbrojtës.
“Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.”
© Panorama.al





