Home Aktualitet Protestuesit përplasen me policinë para Kuvendit, gjashtë të shoqëruar

    Protestuesit përplasen me policinë para Kuvendit, gjashtë të shoqëruar

    Një grup protestuesish janë mbledhur ditën e sotme përpara godinës së Kuvendit, ndërsa po mbahet seanca plenare.

    Na ndiqni në Instagram

    Me pankarta në duar dhe thirrjet “Opozitë e shitur”, “Ju erdhi fundi”, “Rama, jep dorëheqjen” protestuesit janë grumbulluar përpara Parlamentit.

    Protesta e sotme u paralajmëruar ditën e djeshme, nga organizatorët që bënë thirrje për grumbullim të qytetarëve para Parlamentit dhe seancës plenare.

    Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur në Kuvend rreth 30 minuta përpara nisjes së seancës, për shkak të protestës së njoftuar jashtë godinës.

    Pasi kanë qëndruar aty për rreth një orë, protestuesit u zhvendosën nga pjesa anësore e godinës së Kuvendit drejt pjesës qendrore. Ata kanë zhvendosur aty edhe një kosh mbeturinash, ndërsa përsërisin thirrjet: “Rama në kosh, Berisha në kosh”.

    Përpara ambienteve të Kuvendit, disa protestues kanë shkruar në trotuar në shenjë simbolizuese “Parlament i krimit”.

    Po ashtu, protesta e qytetarëve është shoqëruar me tensione. Protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve në perimetrin e brendshëm të Kuvendit. Ata janë ndaluar nga forcat e policisë, të cilat kanë vendosur kordon sigurie dhe nuk kanë lejuar hyrjen e tyre në ambientet e brendshme të Kuvendit.

    Ndërkohë, studentët kanë zgjedhur një tjetër mënyrë për të protestuar. Ata kanë një thirrje edhe për policinë, për të cilën theksojnë se veprojnë me dy standarde.

    “Jemi kundër dy standardeve. Nuk duhet të procedohen studentët, ndërsa makinat bllokojnë rrugët e Tiranës, bllokojnë trafikun. Jemi në protestë dhe i kemi të qarta kërkesat. Gjoba deputetëve dhe mos procedoni studentët”, ishin thirrjet e studentëve.

    Policia ka kërkuar lirimin e rrugës, ndërkohë që protestuesit nuk kanë pranuar.

    “Nuk ua lirojmë rrugën hajdutëve dhe analfabetëve. Kjo është tokë publike, e jona, nuk e lirojmë”, tha një prej tyre.

    Për shkak të tensioneve të krijuara dhe përplasjeve me policinë, janë kërkuar përforcime, ku kanë mbërritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të hapur rrugën.

    Situata para Parlamentit është përshkallëzuar, pasi protestuesit kanë bllokuar të dyja hyrjet e Parlamentit. Gjatë tensioneve, policia ka shoqëruar Dritan Goxhajn, si edhe pesë persona të tjerë. Gjithashtu gjatë përplasjeve nga radhët e policisë janë lënduar katër punonjës policie të Forcës së Posaçme Shqiponjat dhe të Patrullës së Përgjithshme.

    Pas këtij momenti protestuesit i janë drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, nga ku kërkuan lirimin e të shoqëruarve. Në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës janë paraqitur dhe deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri. Shehaj pasi ka diskutuar me drejtues të Policisë së Tiranës, bëri të ditur se janë gjashtë të shoqëruar, të cilët janë të ndarë në tre komisariate.

    Ndërkohë drejt komisariatit numër një është paraqitur edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani.