Nga Hilmi Saliu / Apolonia duket se e ka kthyer në një objektiv real pjesëmarrjen në “play off”, si mundësia e fundit për t’u ngjitur në elitë. Ndeshjet e fundit, sidomos ato ndaj Kukësit e Korabit, kanë zgjuar ambiciet e fierakëve për të ngjitur të paktën një shkallë në klasifikim.
Synimet e Apolonisë vërtetohen edhe nga fakti që drejtuesit më të lartë të klubit kanë kërkuar nga ekipi maksimumin në 2 ndeshjet e fundit. Ata mendojnë, se vendi i gjashtë në kampionat është më se i arritshëm dhe do të ishte diçka shumë pozitive për skuadrën, nëse e arrin këtë objektiv. Në këtë situatë, objektivi është që në 180 minutat e fundit të grumbullohen 6 pikët e mundshme. Pra, ka një ultimatum për shifrën gjashtë, që përkon me vendin në klasifikim dhe pikët në dy ndeshjet e fundit. Bëhet fjalë për transfertën ndaj Kastriotit dhe ndeshjen në shtëpi me Lushnjën, rivalin direkt për një vend në “play off”. Janë dy kundërshtarë të vështirë, por jo të pakalueshëm.
Apolonia do të luftojë për të marrë më të mirën dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të bëhen të tjera llogari. Fierakët vijojnë përgatitjet intensive në kuadër të transfertës së ditës së diel me Kastriotin. Nën drejtimin e trajnerit Tatanjelo, skuadra ka kryer dje seancën e radhës stërvitore në aneksin e stadiumit. Seanca qe e karakterit taktik, ku stafi po jep këshillat e fundit. Golat e pësuar kanë shqetësuar disi, kështu që Tatanjelo ka kërkuar më shumë përqendrim në prapavijë, por edhe që lojtarët të jenë të vëmendshëm dhe të saktë në mbylljen e aksioneve. Në prag të kësaj sfide ka lajme të mira nga infermieria. Erald Maksuti është bashkuar me grupin dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe mesfushori Rubin Hebeja.
Ndaj Kastriotit, fierakët do të hyjë në fushë me një objektiv të qartë, trepikëshi. Trajneri Tatanjelo mund të zgjedhë këtë formacionin ndaj krutanëve: Në portë, Kaçaj. Në mbrojtje nuk ka dyshime, me Ndubuisi e Asllanaj në qendër, Repajn djathtas dhe Kofin majtas. Në mesfushë pritet dyshja Rakipaj-Bejzade. Më pas, sulmuesit Trifoni-Maksuti-Kane në mbështetje të “pykës” Umejiego.