Ndërron jetë e moshuara që u tërhoq zvarrë nga djali/ Flet 48-vjeçari: Doja ta fusja në shtëpi!
Në emisionin me “Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti, në News24 është trajtuar rasti i rëndë i dhunës në familje ndodhur vetëm pak muaj më parë.
48-vjeçari Alban Mansaku është vënë në pranga pas një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shihej se po dhunonte e tërhiqte zvarrë nënën e tij të moshuar.
Në një lidhje telefonike ai ka dhënë dhe versionin e tij të ngjarjes.
Albani deklaroi se ditën e ngjarjes ishte i mërzitur, dhe kishte pirë alkool në një nga lokalet e lagjes.
Komshiu e kishte telefonuar për ta lajmëruar se nëna e tij kishte dalë jashtë shtëpisë.
Sipas tij, e ëma nuk ndihej mirë dhe ai nuk e kishte dhunuar por e kishte tërhequr vetëm për ta futur në shtëpi.
Ai shtoi se personi që kishte shpërndarë videon e kishte ofenduar edhe disa herë para ngjarjes.
“Nëna vdiq nga zemra. Unë akoma jam në arrest shtëpie prej 2 javësh. Personi që shpërndau videon me ofendonte shumë. Atë ditë isha tek lokali i lagjes, po pija raki dhe isha i mërzitur dhe ai komshiu më lajmëroi se nëna kishte dalë jashtë shtëpisë. Pasi shkova, ajo nuk po ndjehej mirë dhe e kam tërhequr vetëm që të futej në shtëpi, nuk e kam dhunuar”, përfundoi Mansaku.
Ndërkohë, bashkëshortja e 48-vjeçarit ka sqaruar se në ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në Shqipëri, ndërsa me vjehrrën e ndjerë kishte marrëdhënie të mira.
Ajo ka mohuar që 48-vjeçari të ishte i alkoolizuar, por se konsumonte herë pas here alkool.
“Unë kam qenë në Itali natën e ngjarjes, nuk e di se si ka ndodhur. Shkoja mirë me nënën e Albanit. Ai konsumonte pije, por nuk është e vërtetë se ishte i alkoolizuar”, ka deklaruar ajo.
(BalkanWeb)