Home Personazh Ermal Meta mbush 45 vjeç: 7 sekretet që nga udhëtimi në Itali...

Ermal Meta mbush 45 vjeç: 7 sekretet që nga udhëtimi në Itali në moshën 13-vjeçare te marrëdhënia me të atin

Ermal Meta

Në përvjetorin e 45-të, Corriere della Sera i ka kushtuar një profil të veçantë Ermal Metës, që nga rrënjët në Shqipëri te suksesi në Itali.

Një histori që nis nga Shqipëria dhe kalon përmes sakrificave, muzikës dhe suksesit në Itali. E përditshmja prestigjioze italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një artikull të gjatë këngëtarit Ermal Meta, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin e tij, nga mbërritja në Bari si adoleshent deri te skena e madhe e Sanremos dhe përtej.

Ardhja në Bari në moshën 13-vjeçare

Sot Ermal Meta feston ditëlindjen e tij. I lindur në Fier, Shqipëri, më 20 prill 1981, ai u transferua në Bari në moshën 13-vjeçare së bashku me nënën, vëllanë dhe motrën.

Në vitin 2023, në një monolog prekës në Le Iene, ai tregoi se nëna e tij arriti të largohej nga Shqipëria falë ndihmës së dy të panjohurve, një burri që i siguroi një pasaportë false dhe një oficeri që vulosi dokumentin, edhe pse e kuptoi falsifikimin, i prekur nga dëshpërimi i një nëne që kërkonte vetëm të shpëtonte fëmijët e saj.

Dy akte mirësie shpëtuan katër jetë. Midis atyre jetëve ishte edhe e imja. Jini të mirë, mund t’i shpëtoni jetën dikujt – thotë ai.

Para se të bëhej i famshëm

I rritur duke dëgjuar muzikë klasike, Ermal Meta nisi të luante muzikë në moshën 16-vjeçare.

“Kam “përtypur” muzikë që fëmijë – tregoi ai për Corriere della Sera në vitin 2019. – Mami ishte violiniste klasike, gjithë shtëpia ishte muzikë dhe partitura. Nga Shqipëria mbaj mend vetëm këngëtarë të regjimit dhe muzikë popullore. Dëgjoja muzikë ndërkombëtare. Më pas zbulova këngët italiane me “Almeno tu” të Mia Martini dhe “Mare mare” të Luca Carboni. Kur mbërrita në Bari, kolona zanore e dashurive të para ishte Antonello Venditti. Për të mësuar gjuhën, shkruaja në një fletore fjalët që nuk i kuptoja” thotë ai.

Këngëtari ka qenë pjesë e disa grupeve përpara se të hynte në Ameba 4 si kitarist. Së bashku me grupin mori pjesë në Festival di Sanremo 2006 në kategorinë “Giovani” me këngën “Rido… forse mi sbaglio”. Para se t’i përkushtohej plotësisht muzikës, Meta ka bërë punë të ndryshme: larës enësh, shitës gazetash në semaforë dhe operator në call center.

Në Sanremo Giovani me Francesco Gabbani dhe Irama

Në vitin 2007, Ermal Meta themeloi një grup të ri, La Fame di Camilla, me të cilin publikoi tre albume. Grupi, i angazhuar në një aktivitet të dendur koncertesh në të gjithë Italinë, mori pjesë në Festival di Sanremo 2010 në seksionin “Giovani” me këngën “Buio e luce”.

Pas shpërbërjes së grupit, Meta nisi karrierën si autor këngësh, duke shkruar për shumë artistë italianë si Emma Marrone, Francesco Renga, Patty Pravo, Chiara Galiazzo, Marco Mengoni, Francesca Michielin, Francesco Sarcina dhe Giusy Ferreri.

Më pas ai u prezantua në Sanremo Giovani 2015: i përzgjedhur së bashku me Chiara Dello Iacovo, Cecile, Michael Leonardi, Francesco Gabbani dhe Irama, arriti kështu të marrë pjesë në festivalin e vitit pasardhës.

Në skenën e Ariston-it

Ermal Meta u rikthye në Festivalin e Sanremos me këngën “Vietato morire”, e cila i siguroi vendin e tretë. Një vit më pas, ai u ngjit në skenën e Teatro Ariston në duet me Fabrizio Moro, duke fituar edicionin e 68-të të festivalit me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Me të njëjtën këngë, dyshja përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë, ku u renditën në vendin e pestë në klasifikimin përfundimtar. Ermal Meta ka konkurruar në Sanremo edhe në vitin 2021 me “Un milione di cose da dirti” dhe në edicionin e këtij viti me “Stella stellina”.

Mungesa e babait

Këngëtari Ermal Meta ka folur në më shumë se një rast për babanë e tij, një figurë që ai e ka përshkruar si të dhunshme dhe me të cilin ka ndërprerë marrëdhëniet prej vitesh.

“Ka dalë nga jeta ime në vitin 1990, nuk e kam parë prej 28 vitesh Ishte i munguar edhe kur ishte i pranishëm. Nuk flisja me të as kur ishte në shtëpi”  tregonte në vitin 2018 në një intervistë për Verissimo. 

Për këtë përvojë personale ai i ka kushtuar edhe këngët “Lettera a mio padre” (2014) dhe “Vietato morire” (2017), kjo e fundit si një vazhdim i së parës, e përqendruar në temën e dhunës në familje.

Librat

Në vitin 2022, Ermal Meta publikoi librin e tij të parë “Domani e per sempre”, i botuar nga La nave di Teseo, i cili zhvillohet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Romani ka si personazh kryesor Kajanin, një muzikant i talentuar që rritet me gjyshin mes ëndrrave, realitetit të vështirë dhe një të ardhmeje të pasigurt.

“Ky është një libër për fatin, për atë që bëhet e pashmangshme dhe për mënyrën se si një gjë e vogël mund të ndryshojë gjithçka,” ka thënë ai.

Fillimisht, ai e shihte fatin si një rrugë të mbuluar nga mjegulla e së ardhmes, si një shtëpi e errët ku duhet të ndezësh dritën për të parë të tashmen. Sot, ai beson se ekzistojnë shumë rrugë paralele dhe se çdo zgjedhje që bëjmë na çon nga njëra te tjetra.

Në vitin 2025, ai publikoi edhe librin e tij të dytë, “Le camelie invernali”.

Jeta sentimentale

Për jetën e tij sentimentale, Ermal Meta ka qenë gjithmonë shumë i rezervuar. Ai ka pasur një lidhje të gjatë larg vëmendjes së publikut me spikeren e radios Silvia Notargiacomo. Më pas u lidh me Chiara Sturdà, me të cilën në vitin 2024 solli në jetë vajzën e tyre, Fortuna.

Së shpejti, familjes do t’i bashkohen edhe dy vajza të tjera të çiftit, dy vajza shqiptare që Meta dhe Sturdà kishin dashur t’i adoptonin (por nuk kanë mundur, pasi nuk janë të martuar). Vajzat do t’i bashkohen familjes në qershor, kur të dyja të jenë madhore.

“I kemi njohur ato disa vite më parë, kur mora pjesë në një fushatë për mbledhje fondesh për të ndihmuar një shtëpi familjeje në Shqipëri, Më prekën historitë e tyre: kur çiftet shkonin për të vizituar shtëpitë familjare apo jetimoret ku ato kishin qenë, shikonin vetëm fëmijët më të vegjël. Vajzat më të rritura nuk i shikonte askush. Kur më thanë ‘ne nuk na do askush’, zemra m’u thye, sikur u copëtua në mijëra pjesë” thotë ai./CorrieredellaSera