Një autobus me nxënës ka dalë nga rruga në zonën e Manastirit të Zvërnecit në Vlorë, duke shkaktuar panik te të miturit që ndodheshin brenda.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se fatmirësisht nga incidenti nuk ka persona të lënduar. Ngjarja ndodhi teksa dy autobusë po shkëmbeheshin në rrugën e ngushtë që të çon për në Manastirin e Zvërnecit. Në pamundësi për t’u shkëmbyer, njëri prej autobusëve është batuar dhe ka dalë nga rruga, por fatmirësisht është mbajtur nga shtyllat anësore, duke bërë që pasojat të mos ishin më të mëdha.
Më tej në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrëfikëse dhe shërbimet e policisë, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e autobusit në rrugë dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë për Report Tv, shefi i ndërhyrjes së shpejtë në reparin Zjarrfikës në Vlorë, Luan Kapaj, tha se nëse autobusi do të ishte batuar plotësisht, mund të kishte edhe nxënës të lënduar. Kapaj shtoi se falë reagimit në kohë u bë e mundur që të mos lëndohej asnjë prej fëmijëve që ndodheshin në autobus.
“Nëse autobusi do të ishte batuar plotësisht, atëherë fëmijët mund të ishin lënduar. Por falë ndërhyrjes së shpejtë, u bë e mundur që të mos lëndohej asnjë fëmij”, tha mes të tjerash Kapaj.





