Home Lajme nga Fieri Dy artistët fierakë çelin ekspozitën “Aether” në Galerinë e Arteve

Dy artistët fierakë çelin ekspozitën “Aether” në Galerinë e Arteve

Në Galerinë e Arteve në Fier u çel ekspozita “ Aether” e dy artistëve të talentuar fierakë, Arben Koliçi dhe Eduart Meço, një mbrëmje arti që solli pranë publikut dy qasje të veçanta krijuese, por të bashkuara në kërkimin e thelbit dhe reflektimit përtej dukjes.

Na ndiqni në Instagram

Ekspozita vjen si një tjetër dëshmi e potencialit artistik që mbart qyteti i Fierit, ku artistë të rinj dhe kërkues po ndërtojnë identitete të konsoliduara në skenën e artit bashkëkohor shqiptar.

Të dy artistët shenjojnë histori suksesi të lindura në Fier, duke e kthyer krijimtarinë e tyre në një urë komunikimi mes qytetit, artit dhe dimensioneve bashkëkohore të shprehjes vizuale.

Në veprat e Arben Koliçi spikat një univers grafik i ndërtuar mbi disiplinën formale, simbolikën arkitekturore dhe elementët metafizikë. I fokusuar në grafikë dhe kërkime bashkëkohore, ai ndërthur teknikën tradicionale me qasje konceptuale, duke sjellë kompozime që eksplorojnë raportin mes hapësirës, dritës dhe perceptimit.

Kjo ekspozitë shpalos një dialog të heshtur midis grafikës dhe skulpturës ka thënë Koliçi, vepra të cilat mund të vendosen edhe në pika të veçanta të qytetit, për ti dhënë më shumë identitet.

Ndërsa Eduart Meço prezantohet përmes një praktike artistike të orientuar drejt skulpturës dhe kërkimit figurativ-konceptual, ku realja dhe imagjinarja bashkëjetojnë në mënyrë poetike.

Veprat e tij karakterizohen nga një atmosferë introspektive dhe një ndjeshmëri e veçantë psikologjike, duke krijuar një dialog të heshtur me publikun.

Në skupturat e realizuara tingulli bëhet materie thotë Meço, Të frymëzuara nga instrumentet muzikore të Myzeqesë , format e tyre çlirohen nga funksioni dhe kthehen në subiekte abstrakte.

Ekspozita u mirëprit nga artdashës, artistë dhe qytetarë fierakë, duke e kthyer Galerinë e Arteve në një hapësirë reflektimi dhe komunikimi artistik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të mirëpritur artdashësit fierakë për 14 ditë.