Kinematografia dhe teatri shqiptar kanë humbur një nga figurat më të dashura të skenës.
Aktori i njohur Birçe Hasko është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe dhjetëra role që mbeten pjesë e memories së publikut shqiptar.
Lajmin e hidhur e bëri publik regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj, i cili e kujtoi Haskon si një artist të rrallë dhe mik të çmuar. Në mesazhin e tij prekës, Shanaj vlerësoi talentin, humorin dhe forcën interpretative që Birçe Hasko solli për dekada në artin shqiptar.
I njohur për interpretimet autentike dhe karakteret popullore që mishëroi në skenë e ekran, Birçe Hasko ishte një nga aktorët më të spikatur të brezit të tij.
Në teatër ai realizoi mbi 12 role, ndërsa një nga interpretimet më të vlerësuara mbetet ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços.
Kontributi i tij në film ishte po aq i rëndësishëm. Karriera kinematografike nisi në vitin 1971 me filmin “Kur zbardhi një ditë”, ndërsa më pas interpretoi në një sërë prodhimesh të njohura shqiptare si “Radiostacioni”, “Skëterrë 43”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Dhe vjen një ditë” dhe “Shkëlqim i përkohshëm”.
Roli i tij i fundit erdhi në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.
Për kontributin e dhënë në artin shqiptar, Hasko u vlerësua ndër vite me tituj dhe çmime të rëndësishme, mes tyre “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi” i Orikumit.
Ai mbetet një prej figurave më popullore të ekranit shqiptar, me mbi 30 role në film dhe një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
Ndarja nga jeta e Birçe Haskos shënon humbjen e një artisti që me talentin dhe karakterin e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit dhe filmit shqiptar.





