Lajmi për ligjin dhe financimin e trajtimit hormonal falas për transgjinorët ka trazuar jo pak ujërat politike dhe jo vetëm në Shqipëri.
I fundit që ka reaguar është ish-presidenti Ilir Meta, njëkohësisht kreu i Partisë së Lirisë, i cili qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024 me urdhër të SPAK dhe masë të GJKKO.
Ai ka reaguar nga burgu nëpërmjet një postimi në rrjetin social, duke dënuar aktin e qeverisë, e cila mashtroi qytetarët për shëndetësinë falas, kurse tani po financon falas trajtimin hormonal të transgjinorëve.
“Ndërsa mijëra qytetarë që luftojnë çdo ditë me kancerin si dhe shumë sëmundje të tjera përballen me mungesën e ilaçeve jetike, me pamundësinë për të përballuar trajtimin mjekësor dhe me braktisjen totale nga shteti, Qeveria zgjedh të financojë falas hormone për transgjinorët.
Kjo ndodh sepse shëndeti i njerëzve nuk ka qenë kurrë prioritet i kësaj Qeverie, siç e provoi gjithë këto vite ku premtimi për “shëndetësi falas”, rezultoi mashtrimi më i madh, që është bërë ndonjë here, ndërsa qytetarët detyrohen të paguajnë nga xhepi miliona euro për ilaçet më bazike dhe për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e tyre”, shkruan ai mes të tjerash.
Teksa thekson se në vend që fondet publike të shkojnë për të sëmurët, fëmijët dhe familjet shqiptare në nevojë, ato përdoren për të imponuar “agjenda ideologjike” që godasin vlerat e familjes shqiptare.
Ai cilëson se kjo agjendë, së bashku me atë të shpopullimit kanë si qëllim shpërbërjen kombëtare të Shqipërisë.
“Në vend që fondet publike të shkojnë për të sëmurët, për fëmijët, për familjet shqiptare dhe për mbështetjen e jetës, ato përdoren për të imponuar agjenda ideologjike, që bien ndesh dhe godasin egërsisht vlerat tradicionale dhe familjen shqiptare si kryevlerë, falë së cilës shqiptaret kanë përballuar furtuna te mëdha. Kjo agjendë, së bashku me shpopullimin, kanë qëllim të vetëm shpërbërjen kombëtare të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shkruan kreu i PL-së.© Panorama.al





