Volejbolli shqiptar është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Kreshnik Tartari, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të sportit shqiptar, i cili la gjurmë të pashlyeshme si volejbollist, trajner dhe drejtues sportiv.
Kreshnik Tartari konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e volejbollit shqiptar për femra. Me vizionin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, ai ndërtoi breza të tërë sportistesh që dominuan volejbollin në vend dhe përfaqësuan me dinjitet Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Nën drejtimin e tij, ekipi i femrave i Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar. Dominimi nisi në vitin 1974, kur skuadra e drejtuar prej Tartarit filloi një epokë të artë, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe plot 20 tituj kampionë në total.
Po ashtu, Dinamo arriti rezultate historike edhe në Evropë, duke u renditur dy herë mes katër skuadrave më të mira të kontinentit.I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, Tartari ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në zhvillimin dhe ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta.
Edhe si lojtar ai shkëlqeu me fanellën e Dinamos dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj kampionë dhe trofe të shumtë gjatë viteve më të lavdishme të volejbollit shqiptar.Për kontributin e jashtëzakonshëm në sportin shqiptar, Kreshnik Tartari u vlerësua me një sërë titujsh dhe dekoratash, mes të cilave edhe titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”.
Me ndarjen e tij nga jeta, sporti shqiptar humb një ikonë të vërtetë, ndërsa volejbolli humb një prej njerëzve që i kushtoi gjithë jetën zhvillimit dhe suksesit të këtij sporti.
Trashëgimia e Kreshnik Tartarit do të mbetet përherë pjesë e historisë së sportit shqiptar.





