Këshilli i Ministrave ka miratuar shpalljen e tetë zonave në bashkinë e Fierit si “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 20/2025 “Për paketën e maleve”.
Sipas vendimit, zonat prioritare përfshijnë njësitë administrative Libofshë, Cakran, Dërmenas, Frakull, Levan, Mbrostar Ura, Portëz dhe Qendër, me një sipërfaqe totale prej mbi 16 mijë hektarësh.
Qeveria synon që përmes këtij vendimi të nxisë zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik në këto zona, duke krijuar kushte më të favorshme për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Në këto territore do të mbështeten aktivitete të lidhura me ekonominë, industrinë dhe turizmin, me synimin për të rritur potencialin e zonave dhe për të krijuar më shumë mundësi zhvillimi për komunitetet vendore.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si edhe Bashkia Fier.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.





