Dhimbja është ulur këmbëkryq në lagjen nr.5 në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku dje tragjikisht dy fëmijë humbën jetën pasi u përplasën nga një automjet. Ndërkohë një tjetër i mitur lufton në spitalin e Traumës. Familjarë, të afërm të viktimave, 10 dhe 12 vjeç, shprehen të pikëlluar për ngjarjen, ndërsa shpërthejnë në akuza kundër policisë. Një banore e zonës, që është dhe e afërme e një prej familjeve, pohon se autori meriton dënim me djegie. “Të digjet! Ta marrë vesh dynjaja. I kam të mitë. Jo vetëm unë, por e gjithë Shqipëria po e përjeton!”, tha zonja. Ndërkohë një tjetër banor shprehet se ngjarja ishte si në filma dhe e pabesueshme.
“Jemi të tramaksur. Ishte si në filma. Ishim pa gjumë tërë natën, fëmijët janë të tmerruar. Jemi pa fjalë. Shteti të marrë masa. Nuk kemi fjalë. Nuk ishte hera e parë për atë person. Ka qenë problematik. Kur ishte i pirë s’dinte se çfarë bënte.”, tha ai.
Sakaq, një tjetër banor shprehet se faji është i shtetit. “Njëra familje kishte të atin në Itali, të sëmurë. Erdhi mbrëmë. Jemi të tronditur si lagje. Është dhe për faj të shtetit. Ishte njoftuar shteti për këtë rast. Tragjedi! Jemi të tronditur, jemi të lënduar të gjithë shpirtërisht.”, tha ai.
Sakaq, familjar i viktimave shprehet se janë me zemër të ngrirë për shëndetin e djalit tjetër, 8 vjeç, vëllai i njërit prej viktimave, që ndodhet i shtruar te Trauma.
“U ka dhembur shpirti dhe atyre që nuk e njihnin. Jemi pa fjalë. Dhimbja është e madhe. E gjithë familja është e prekur, e shokuar. Me zemër të ngrirë pasi djali tjetër është në spital.”, tha ai.





