Një autobuz ka marrë sot flakë në Qafën e Kalasë. Autobuzi me targa AB 917 UE, i mbushur me turistë të huaj,nisi të marri flakë në ecje drejt Kalasë së Beratit.
Pasi janë vërejtur shkëndijat e para në pjesën e parme të autobuzit, shoferi ka ndaluar dhe 52 pasagjerët që ndodheshin brenda, mes tyre edhe fëmijë, kanë zbritu nga autobuzi.
Asnjë nga pasagjerët nuk ka pësuar asnjë lëndim pasi ata kanë zbritur pa u përfshirë ende autobuzi nga flakët.
Pas shkëndijave të shfaqura në pjesën e motorrit, zjarri ka filluar të përhapet në brendësi të tij. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta zjarrëfikëseje dhe policie, që kanë luftuar me flakët,për ti shuar ato. Si pasojë e zjarrit autobuzi është shkumbuar totalisht.
Po ashtu,është shkrumbuar nga flakët edhe një automjet tip Benz Fuoristradë,i parkuar në derën e shtëpisë, pronari i të cilit nuk mundi dot ta lëvizi. Burimet zyrtare të policisë dhe shërbimeve zjarrëfikëse po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet e zjarrit, që paraprakisht dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në motorr.
Të njëjtat burime pohojnë se është shoqëruar në polici drejtuesi i autobuzit, shtetasi Ervis Dyrmani, nga Durrësi, ndërkohë që nga ana e policisë nuk jepet ende asnjë konfirmim për kombësinë e turistëve në autobuz.
