Policia Rrugore e Fierit ka kryer monitorim intensiv me pajisje inteligjente në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.
Sipas policisë, gjatë kësaj jave, për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor, janë proceduar penalisht shtatë shtetas. Prej tyre, një është arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur, katër drejtues të tjerë mjetesh janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe dy drejtues janë proceduar penalisht për aksidente rrugore.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese, të organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej: 888 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2; 17 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit; 9 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 44 masa administrative për parakalim të gabuar; 11 masa administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit; 107 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim aksidentesh.
Gjithashtu, janë sekuestruar katër motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier apelon për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.
/r.e/

