Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gzment Bardhi, ka deklaruar se kryeministri Ed Rama është marrë peng nga ish zëvendës kryeministrja dhe ish-ministrja Belinda Balluku.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se vazhdon de facto të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e saj të varësisë, pasi është pikërisht ajo që vendos për emërimet, koncesionet dhe tenderat.
“Shefja e Ramës dhe Karakaçit, Belinda Balluku, nuk duhet të ishte duke shkuar në palestër, por pas hekurave”, shkruan Bardhi.
Reagimi i plotë:
Dje, një investigim i emisionit “Fiks Fare” nxori sheshit atë që të gjithë e dinin. Belinda Balluku, për shkak se ka marrë peng Edi Ramën, vazhdon të qeverisë de facto Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet e saj të varësisë. Ajo vazhdon të vendosë kush punësohet, kush fiton tendera dhe kur jepen koncesione.
Shefja e Ramës dhe Karakaçit, Belinda Balluku, nuk duhet të ishte duke shkuar në palestër, por pas hekurave.
Për fat të keq, edhe pse SPAK-u ka 20 ditë që ka bërë publike të dhëna të reja për marrjen e saj nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ende nuk ka zbatuar ligjin për burgosjen e saj. Është e paimagjinueshme për një shtet ligjor që një person me 14 akuza penale të shëtisë lirshëm dhe madje të gjejë kohë edhe për palestër.
SPAK-u duhet të zbatojë ligjin. SPAK-u duhet të zbatojë standardin që vetë vendosi në dhjetor 2025. SPAK-u nuk mund t’u thotë shqiptarëve se, kur ndaj Belinda Ballukut rëndojnë 6 akuza, ajo duhet të shkojë në burg, ndërsa kur rëndojnë 14 akuza, duhet të shkojë në palestër. Kjo është thjesht e papranueshme!
Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Shqiptarët meritojnë një drejtësi që nuk njeh të paprekshëm. Opozita kërkon vetëm një gjë: zbatimin e ligjit, me të njëjtin standard për këdo, pa përjashtim. Sepse në një shtet ligjor, pushteti nuk duhet të jetë mburojë dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
© BalkanWeb

