Aktualitet

Rama nga samiti i Turizmit flet për Sazanin dhe Zvërnecin: Investimi më i madh në Europë

Rama nga samiti i Turizmit flet për Sazanin dhe Zvërnecin: Investimi më i madh në Europë
FieriSot · Foto ilustruese

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel pjesëmarrës në samitin e Turizmit të organizuar nga EuroNews. Në diskutime, kreu i qeverisë vendosi në dukje rritjen e Shqipërisë në sektorin turistik dhe interesimin e lartë të vizitorëve për natyrën shqiptare.

Kryeministri foli dhe me shifra për rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga viti në vit dhe jo vetëm evropianë, por dhe nga kontinente të tjera.

“Synimi ynë është bota. Po punojmë, por ajo çfarë kam mësuar nga e gjithë kjo betejë, për të ndryshuar emrin duhet të ndryshosh vetveten. Një prej vendeve më të sigurta në Evropë. Cilësia e diellit është shumë më e lartë se e Brukselit. Kemi ushqim të shijshëm, njerëz mikpritës dhe në një hapësirë të vogël, dete, lumenj, male të mrekullueshme. Ka shumë larmi, saqë brenda 1 jave mund të përjetosh kaq shumë gjëra. Jemi shumë të lumtur që shohim kaq shumë turistë që mbërrijnë.

Po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në rritje. Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 mln turistë dhe kjo shifër përfshinte edhe zyrtarët që bënin numërimin, se për çdo zyrtar që hynte e dilte, shënohej apo ishte pjesë e kësaj shifre. Paraardhësi im ishte turist kur u kthye në Shqipëri. Vitin e kaluar përfunduam me afro 12 mln të huaj, jo vetëm evropianë, japonezë, amerikano-latinë, australianë, kinezë, izraelitë, nga Lindja e Mesme”, tha Rama.

Kryeministri foli dhe për investimet duke treguar për ngritjen e aeroporteve të reja nga veriu në jug të Shqipërisë, për të cilët ka ende punë që duhet bërë për t’i kthyer në funksionalë.

“E nuk kemi infrastrukturën më të mirë në Evropë. Kemi një aeroport që për të 5-tin vit radhazi është me rritjen më të shpejtë në Evropë. I kemi lënë fqinjët për të 6-tin vit në shifra absolute. Tani do të hapim një aeroport të ri në Vlorë, po punojmë për një aeroport të tretë në jug, që do të jetë sezonal, ndërkohë që një i 4-t është në zonën malore, por s’po funksionon siç donim. Ne do të kemi dhe një aeroport për flamingot.

Shqipëria është vendi i shqiponjave. Nëse shqiponjat mund të fluturojnë të sigurta, ashtu dhe njerëzit. Në Shqipëri kemi një aeroport mbresëlënës që funksionon në çdo orë. Në një nga ditët e gushtit, arriti në 329 fluturime brenda 24 orëve”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se vendi po tërheq marka të njohura hoteliere dhe investime të mëdha, duke synuar një turizëm të nivelit të lartë.

Ai përmendi projektin e Atlantis dhe investimin e mundshëm deri në 6 miliardë euro në zonën mes Sazanit dhe Zvërnecit.

“Po investojmë, për të sjellë investues që sjellin investimet më luksoze në botë. Sot kemi çdo markë hoteliere, 10 vite më parë ishte e pamundur. Tashmë është një histori krejt ndryshe. Në projektin e madh, që presim ta çojmë përpara me ndikimin në mjedis. Është Atlantis, që do jetë i pari në kontinentin tonë. Të duhet të përçosh një mesazh tjetër, që ky vend nuk është ai që dëgjoni. Shqipëria është vendi me normën më të ulët të vjedhjeve në Europë, Britania është e para. Ky turist përçon mesazhin, ajo se çfarë ka ndodhur në këto vite të fundit, ka ndryshuar perceptimin. Nuk jemi më njolla e zezë e Europës, por jemi perla e vogël që ndriçon. Ne kemi po ashtu edhe kompani shqiptare, që janë në kushtet që të bëjnë hapin që po flasim, për një turizëm elitar, po me hotele mjaft luksoze të nivelit të lartë. Ne jemi një vend i vogël në zemër të Europës, ne duam që të jemi një copëz e vogël që shkëlqen në zemër të Europës. Sot ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Europë, prej shumë vitesh, që komunikuar mes ishullit të Sazanit, dhe gadishulli i Zvërnecit mund të arrijë deri në 6 miliardë, sepse jemi hapur si vend dhe se Shqipëria ka kushtet për të punuar me investuesit më të mëdhenj”, tha Rama.