Aktualitet

Ekzekutohet 35-vjeçari shqiptar në Itali, u gjet me duar të lidhura në një makinë (Emri)

Ekzekutohet 35-vjeçari shqiptar në Itali, u gjet me duar të lidhura në një makinë (Emri)
FieriSot · Foto ilustruese

Një 35-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në Itali. Trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm brenda një automjeti në San Giorgio delle Pertiche

U identifikua nga shenjat e gishtërinjve, shqiptari Ferdinant Hoti i kishte duart e lidhura.

35-vjeçari është identifikuar përmes shenjave të gishtërinjve dhe elementeve të tjera të mbledhura nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Padovës.

Në momentin kur është ekzekutuar, shqiptari i kishte duart e lidhura. Sipas konstatimeve të mjekut ligjor Rafi El Mazloum, i cili kreu autopsinë e trupit, Hoti është qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt.

Hetimet mjeko-ligjore kanë zbuluar gjithashtu se në momentin kur trupi i tij përfundoi në ujë, 35-vjeçari kishte ndërruar jetë. Në mushkëritë e viktimës nuk janë gjetur gjurmë uji, çka tregon se ai nuk ka vdekur nga mbytja.

Karabinierët po përpiqen tani të rindërtojnë lëvizjet e Hotit për të zbuluar se me cilët persona është takuar gjatë mbrëmjes së së hënës, 7 shtator.

Makina pa targa, trupi ishte futur në një thes të zi dhe rënduar me goma

Detaje të tjera kanë dalë edhe për automjetin që u gjet pa targa. Përmes numrit të shasisë, karabinierët kanë arritur të identifikojnë pronarin e “Fiat Bravo”-s së zezë që u gjet e zhytur në basenin e lumit Tergola.

Në sediljet e pasme të automjetit, brenda një thesi të zi dhe i rënduar me goma automjetesh, u gjet trupi i pajetë i 35-vjeçarit shqiptar.

Pronari i automjetit është një burrë që banon në provincën e Venecias dhe që nuk kishte denoncuar vjedhjen e makinës. Karabinierët po e marrin në pyetje për të sqaruar pozicionin e tij dhe për të kuptuar nëse ka ndonjë lidhje me atë që ka ndodhur.

Të gjitha pikëpyetjet e hetimit

Mënyra se si është gjetur trupi përforcon edhe më shumë pistën e vrasjes.

Kufoma ishte mbyllur në një thes të zi, ndërsa ishin përdorur goma automjetesh për ta rënduar. “Fiat Bravo” dyshohet se është shtyrë me dorë drejt basenit të lumit. Për hetuesit është e qartë se dikush është përpjekur qëllimisht të zhdukë trupin e viktimës duke e hedhur në ujë bashkë me automjetin.

Edhe zgjedhja e vendit ku u hodh makina është nën vëmendjen e hetuesve.

Automjeti ishte pikasur në orët e para të mëngjesit edhe nga disa zejtarë që po kalonin në zonë, vetëm disa dhjetëra metra larg rrethrrotullimit të frekuentuar të Torre di Burri.

Karabinierët po analizojnë pamjet e të gjitha kamerave të sigurisë në zonë, përfshirë edhe ato të një zdrukthëtarie aty pranë.

Edhe pjesa e lumit ku u gjet automjeti është kontrolluar nga hetuesit. Për të kryer verifikimet, janë hapur portat e ujit në mënyrë që niveli të ulej dhe uji të mund të rridhte.

Në atë zonë, niveli i lumit Tergola ishte veçanërisht i lartë për shkak të ujitjes së tokave bujqësore.

Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është se personi ose personat që zgjodhën pikërisht atë vend për të fshehur trupin mund t’i njihnin mirë karakteristikat e basenit dhe nivelin e ujit në atë zonë.