Viti i ri shkollor (2026 – 2027) nis sot (14 shtator) me një tjetër sinjal të rënies demografike në zonat e bashkive të qarkut Fier. Të dhënat e ZVAP-ve tregojnë ulje të numrit të nxënësve në disa prej bashkive, ndërsa shkollat në zonat rurale vijojnë të përballen me regjistrime të ulëta dhe procesin e përqendrimit të nxënësve në shkollat qendrore.
Në Bashkinë Patos, për vitin shkollor 2026–2027 janë regjistruar deri tani 1547 nxënës. Prej tyre, 115 janë në klasën e parë, 1206 ndjekin arsimin 9-vjeçar, 137 janë në klasën e dhjetë dhe 108 janë maturantë. Në total, arsimi i mesëm numëron 341 nxënës.
Krahasuar me vitin e kaluar, kur numri i nxënësve ishte rreth 1750, këtë vit rezultojnë rreth 200 nxënës më pak. Në Patos funksionojnë 2 shkolla të bashkuara, 1 shkollë të mesme dhe 6 shkolla 9-vjeçare. Në zonat ku numri i nxënësve është i ulët, vijon organizimi i klasave dhe shkollave varëse pranë institucioneve qendrore.
Në Roskovec 167 nxënës më pak
Në Roskovec, rënia është gjithashtu e dukshme. Numri i përgjithshëm i nxënësve këtë vit është 2051, ndërsa një vit më parë ishin 2218, pra 167 nxënës më pak.
Nga totali, 1501 nxënës ndjekin arsimin 9-vjeçar, ndërsa rreth 131 janë në klasat e para. Në arsimin e mesëm të lartë janë 205 nxënës në klasën e dhjetë dhe rreth 182 maturantë.
Në Roskovec funksionojnë 12 shkolla: 9 shkolla 9-vjeçare, 1 gjimnaz i bashkuar, 1 gjimnaz i përgjithshëm dhe 1 shkollë private që përfshin arsimin 9-vjeçar dhe gjimnazin. Për këtë vit nuk raportohet mbyllje shkolle, ndërsa të 11 shkollat publike janë pjesë e programit “Pas Shkolle”.
Në Fier shkollat në periferi bosh ose me pak nxënës
Në Mallakastër, të dhënat e disponueshme për vitin e kaluar tregojnë 63 nxënës në arsimin fillor, 151 në klasat e dhjeta dhe 157 maturantë. Të dhënat e plota krahasuese për këtë vit arsimor nuk janë vënë në dispozicion, ndaj nuk mund të përcaktohet me saktësi ndryshimi vjetor për totalin e nxënësve. Mësohet se shkollat e bashkuara mbledhin nxënësit e zonave Fratar, Aranitas, Ballsh.
Ndërkohë, Bashkia Fier Informacioni i disponueshëm tregon një tendencë të përqendrimit të nxënësve në shkollat e qytetit, ndërsa një pjesë e shkollave në periferi dhe zonat rurale janë boshatisur ose kanë numër shumë të ulët nxënësish. Kjo ka sjellë bashkimin e klasave kolektive dhe shkollave varëse me shkollat qendrore, ndërsa për nxënësit e zonave rurale parashikohet transporti drejt shkollave më të afërta nunuri total i mxënësve për bashkimë Fier nuk i kalon të 18000
Pra, shifrat e këtij viti tregojnë një panoramë të qartë: më pak nxënës në Patos dhe Roskovec, presion demografik në zonat rurale dhe një përqendrim gjithnjë e më të madh të arsimit drejt qendrave urbane.

