Lajme nga Fieri

Nisin punimet konservuese në Parkun Arkeologjik Bylis-Klos

Nisin punimet konservuese në Parkun Arkeologjik Bylis-Klos
FieriSot · Foto ilustruese

E marta e djeshme shënoi nisjen e punimeve civile dhe konservuese në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos.

Bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm jo vetëm për parkun arkeologjik, por edhe për komunitetin.

E pranishme sot në nisjen e punimeve ishte edhe ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.

Në fjalën e saj, Sousa theksoi rolin e mbrojtjes së këtij siti dhe rritjen e aksesit për vizitorët.

“Historia dhe bukuria e Bylisit të lënë mbresa të veçanta. Sot nis një projekt i rëndësishëm si për parkun arkeologjik, ashtu edhe për komunitetin përreth. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, siti do të mbrohet më mirë dhe do të bëhet më i aksesueshëm për vizitorët. Besojmë se këto ndërhyrje do të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe në krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillimin e turizmit lokal,”-tha Ambasadorja.

Bylisi është një nga sitet me vlera të veçanta historike dhe kulturore për Shqipërinë.

Qyteti antik i Bylisit, një nga qendrat më të mëdha ilire, së bashku me Nikajën (Klosin), një nga qendrat kryesore të Koinonit të Bylinëve, përbëjnë dëshmi të rëndësishme të organizimit politik, urban dhe kulturor të antikitetit./CNA