Lajme nga Fieri

Fier, nis vaksinimi kundër gripit sezonal. 25 mijë doza për grupet në rrezik, me fokus të veçantë diabetikët

Fier, nis vaksinimi kundër gripit sezonal. 25 mijë doza për grupet në rrezik, me fokus të veçantë diabetikët
FieriSot · Foto ilustruese

Fushata e vaksinimit ka nisur në qendrat shëndetësore të Fierit, Patosit dhe Roskovecit, ku janë shpërndarë 25 mijë doza vaksine trevalente.

Shefja e epidemiologjisë, Anila Moçi, thekson se mbrojtja përmes vaksinimit është veçanërisht e rëndësishme për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike apo imunitet të dobësuar.

“Në të gjitha qendrat shëndetësore ndodhet vaksina e gripit për grupmoshat në rrezik. Si gjithmonë, nuk ka asnjë ndryshim. Janë të njëjtat grupe në rrezik: personat me sëmundje kardiake, të sëmurët kronikë të veshkave dhe ata me imunitet të kompromentuar”, u shpreh Anila Moçi, shefe e epidemiologjisë.

Vaksinimi rekomandohet edhe për fëmijët nga gjashtë muajsh deri në 12 vjeç, mësuesit, efektivët e policisë, personat mbi 60 vjeç dhe gratë shtatzëna. Këtë vit, vëmendje e veçantë u kushtohet edhe personave me diabet, për shkak të rrezikut të ndërlikimeve nga gripi.

“Të gjitha qendrat shëndetësore kanë filluar përgatitjet për vaksinimin kundër gripit dhe, në radhë të parë, kanë nisur trajnimin e personelit shëndetësor. Është shumë e rëndësishme që personeli shëndetësor të dijë se çfarë vaksine ka në dispozicion”, tha ajo.

Gripi sezonal shkakton çdo dimër ndërlikime shëndetësore dhe, në rastet më të rënda, humbje jete. Fieri renditet ndër qarqet me numrin më të lartë të vaksinimeve, ndërsa fatalitetet nga gripi janë kufizuar në një ose dy raste në vit, kryesisht te të moshuarit me sëmundje kronike.