Kryeministri Edi Rama sulmoi disa prej protestuesve të arrestuar nga policia si pa lidhje me kauzën studentore dhe që kanë kryer më parë vepra penale, për të delegjitimuar protestën e ditëve të fundit. Rama madje i akuzoi edhe për lidhje me krimin që marrin para, madje dhe lidhje me Iranin.
Për këtë ka reaguar kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi përmes një video në facebook, ku ironizon Ramën.
Në vend të të rinjve protestues me iniciale dhe sytë me shiritin e zi, Bardhi ka vendosur zyrtarët socialistë të korruptuar me dosje në SPAK apo të dënuar, ku listën e kryeson ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Rama, shton Bardhi, na këshillon të heshtim për Vlora Hysenin, Ballukun apo Ergys Agasin, por për protestuesit të shpallen fajtorë pa vendim gjykate.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Kur nuk ke përgjigje për kërkesat e rinisë, rruga më e lehtë është baltosja dhe shpifja! Por faktet flasin vetë!
Po të ishte kujdesur Edi Rama të verifikonte të kaluarën dhe integritetin e zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve të tij, Shqipëria nuk do të ishte katandisur në këtë gjendje.
Por, për të ruajtur pushtetin, ai ka dëshmuar se është i gatshëm të ngrejë në majat e qeverisjes individë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërsa, për të goditur këdo që e konsideron kërcënim për pushtetin e tij, është i gatshëm të përdorë çdo mjet, deri në përpjekjet për të kriminalizuar kundërshtarët dhe qytetarët shqiptarë.
Për Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Mirlinda Kaçanajn, Vlora Hysenin apo Ergys Agasin, etj., na këshillon të mos flasim dhe t’i prezumojmë të pafajshëm, ndërsa qytetarët që protestojnë kërkon t’i shpallim fajtorë pa prova dhe pa një vendim gjykate.
Për Edi Ramën, pushteti duket se ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm se integriteti, përgjegjësia dhe interesi i qytetarëve. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse Shqipëria ndodhet sot në këtë gjendje.



Leave a Reply